Gjykata e Prizrenit vazhdon paraburgimin për “Kobrën” e pesë të tjerët - NACIONALE

Gjykata e Prizrenit vazhdon paraburgimin për “Kobrën” e pesë të tjerët

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata Themelore në Prizren, me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, më 2 shkurt 2023, ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj të dyshuarve në rastin “Kobra”.

Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se masa e paraburgimit ndaj të pandehurve Dibran Hoxha, Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi, Enver Amrllahi, vazhdohet deri më 3 mars 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I pandehuri Hoxha po dyshohet për veprat penale vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulimi me prova.

Ndërsa, të pandehurit Vezaj, Mazreku, Badalli, Gashi dhe Amrllahi po dyshohen për veprat penale pjesëmarrja në rrahje dhe manipulimi me prova.

Sipas këtij vendimi, gjykatësja e procedurës paraprake ka vlerësuar se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit është e bazuar.

Në vendim thuhet se janë plotësuar kushtet ligjore për vazhdimin e masës së paraburgimit, ngase të pandehurit me qëndrim në liri mund të fshihen apo arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Po ashtu, në vendim thuhet se duke pasur parasysh se të dyshuarit janë të njohur për organet e drejtësisë, janë kryerës edhe të veprave të tjera penale të natyrës së ndryshme, tregojnë rrezikun e përsëritjes së veprave penale dhe nga kjo bazë ligjore është e arsyeshme për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Lajme të ngjashme