Gjithçka që duhet të dini për Parkun e Erës që u përurua dje - NACIONALE

Gjithçka që duhet të dini për Parkun e Erës që u përurua dje

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Me gërshërë në duar kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryediplomaten nga Gjermania, Annalena Baerbock, përuruan Parkun e Erës në Bajgorë të Mitrovicës. Megjithatë, ky projekt rrënjët i ka shumë më herët.

Qysh në vitin 2019 kryeministri i atëhershëm, Ramush Haradinaj kishte njoftuar se ishte finalizuar marrëveshja financiare për finalizimin e këtij projekti.

Por çka është “Selac Windpark” dhe cilat do të jenë efektet në prodhimin e energjisë për Kosovën?

Parku i erës është në pronësi dërmuese të kompanisë izraelite "Enlight" me bashkë-investues nga Gjermania dhe Kosova. Kreditë janë ofruar nga Banka Botërore për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Erste Bank (Austri) dhe NLB Bank (Slloveni).

Parku i Erës që operon në një lartësi prej rreth 1.900 metra mbi nivelin e detit, përbëhet nga 27 turbina, secila me një kapacitet prej 3,83 megavatë. Kjo e bën parkun prodhuesin më të madh të energjisë ripërtëritëse në Kosovë.

Energjia me erë i shitet operatorit shtetëror të Kosovës KOSTT me një çmim prej 85 euro për megavat për një periudhë 12-vjeçare, çmim ky i vendosur fiks, me ligj.

Parku i erës do të prodhojë 103 megavatë energji për rreth 70 mijë amvisëri kosovare. Turbinat e para kanë filluar prodhimin e energjisë që në tetor të vitit 2021.

I gjithë projekti ka kushtuar gati 170 milionë euro dhe është vlerësuar si një nga projektet më të rëndësishme në Kosvoën e pasluftës.

Ministrja e jashtme e Gjermanisë gjatë përurimit të këtij parku, tha se ekziston potencial i madh i energjisë në Ballkanin Perëndimor, i cili nuk po shfrytëzohet.

“Gjermania përmes politikës së saj të re të jashtme për çështje klimatike, është e gatshme të zgjerojë bashkëpunimin me Kosovën në këtë fushë thelbësore: për të përmbushur objektivat e Evropës dhe botës për sa i përket klimës dhe për të ndihmuar në ruajtjen e planetit. Për të furnizuar qëndrueshëm qytetarët me energji dhe rrymë dhe për të përmirësuar sigurinë tone energjetike”, theksoi Baerbock.

“Me këtë investim Kosova ndërmerr hapin e parë të madh drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe të larmishme të furnizimit me energji të rinovueshme” tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,

Por, marrjen e meritave nga qeveria Kurti për këtë projekt, e ka kundërshtuar ashpër lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se më së paku merita në këtë çështje, ka qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.

“Sikur ky kryeministër e kjo qeveri të mos e kishin kundërshtuar projektin e termocentralit të ri me Countur Global, apo projektin e gazsjellësit amerikan Shkup-Prishtinë, sot do të mund t’u gëzoheshim edhe dy sukseseve të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, e nuk do t’i vuanim pasojat e mungesës së energjisë e çmimeve stratosferike. Qeveria duhet të marrë shembull nga Parku i Erës në Mitrovicë, se si nisen e kryhen punët e interesit strategjik për vendin, e pse jo t’i thoshte disa fjalë të mira edhe për Qeverinë Haradinaj, që kishte vizion të qartë se si zgjidhej situata elektro-energjetike në vend”, ka shkruar Haradinaj.

Më 5 shkurt të vitit 2018 qeveria miratoi dhënien e statusit të investitorit strategjik për kompaninë kosovaro-gjermane SOWI Kosova për ndërtimin e këtij projekti.

Lajme të ngjashme