Gjeneral Fadil Hadërgjonaj i bashkohet LDK-së - NACIONALE

Gjeneral Fadil Hadërgjonaj i bashkohet LDK-së

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se gjeneral Fadil Hadërgjonaj i është bashkuar këtij subjekti politik.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se “Bjeshka”, siç e thërrasin shokët e luftës, është një prej figurave më të shquara në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Gjatë karrierës së tij ushtarake, Fadil Hadërgjonaj ka treguar një përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj detyrave të tij, duke shërbyer në pozita të larta komanduese dhe udhëheqëse në Forcat e Armatosura të Kosovës. Ai me shumë përkushtim udhëhoqi Brigadën 138 “Agim Ramadani”, në vitin 1999 dhe shumë brigada tjera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Po ashtu udhëhoqi Departamentin e Hulumtimeve/ Komanda e Doktrinës dhe Trajnimit në TMK; ishte shef i sektorit të Stërvitjeve dhe Ushtimeve në MFSK; dhe udhëhoqi Komandën e Doktrinave dhe Stërvitjeve. Ishte Këshilltar Ushtarak; Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë si dhe Komandant i parë i Forcave Tokësore të Forcës.” – ka shkruar tutje ai.

Hadërgjonaj ka marrë medaljen e shërbimit dhe medaljen e karrieres nga Ministria e Mbrojtjes së Kosovës.

“Fadili është i martuar me Arbnoren dhe kanë tre fëmijë, vajzat Albanën dhe Arianën si dhe djalin, Gentin. Na priftë e mbara Gjeneral!” – ka shkruar në fund Abdixhiku.

Lajme të ngjashme