Gjendja me Covid, në Klinikën Infektive po trajtohen 23 pacientë
Varianti Omicron po vazhdon të jetë dominues në Kosovë. Raste aktive me virusin Covid-19 për momentin sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik janë 864.
Nga rajonet me numrin më të madh të këtyre rasteve prin Prishtina me 207 raste aktive, pasuar nga Gjilani me 71 raste, pastaj Ferizaj me 66 raste aktive si dhe Prizreni me 54 persona me koronavirus.
Në 24 orët e fundit vendi ka shënuar një viktimë nga koronavirusi, duke e çuar numrin e vdekjeve në 3 mijë e 119 viktima. Ndërkohë në 24 orët e fundit vendi ka shënuar edhe 32 raste të reja me koronavirus.
Në Klinikën Infektive të QKUK-së po vazhdojnë të trajtohen pacientë të cilët janë prekur nga Covid-19.
Nga 23 personat që po trajtohen, prej tyre katër janë në gjendje kritike. Apel për kujdes nga koronavirusi po bën edhe i pari i Infektives, Arben Vishaj.
Vishaj për Nacionale.com, ka ripërsëritur se vaksinimi është e vetmja mënyrë që ta kemi situatën nën kontroll.
“Ne kemi një numër të vogël të pacientëve. Dihet se klinika infektive ka kapacitete për 125 paciente. Vaksinimi duhet të vazhdojë dhe ne mendojmë se përmes vaksinimit rriten mundësitë që përhapjen me Covid ta kemi nën kontroll”, - tha Vishaj për Nacionale.
Përveç Klinikës Infektive, pacientë me Covid po vazhdojnë të trajtohen edhe në Klinikat tjera të QKUK-së e në spitalet rajonale.
Në spitalet rajonale gjendja është si në vijim:
Spitali i Pejës, 2 pacientë
Spitali i Gjilanit, 4 pacientë
Spitali i Gjakovës, 1 pacient
Spitali i Ferizajt, 2 pacientë
Në vend po vazhdon ende vaksinimi kundër Covid-19. Brenda 24-orëve janë dhënë 463 doza të vaksinës kundër Covid, kurse deri më sot janë administruar 98,286 doza përforcuese apo doza të treta të vaksinës kundër Covid-19.
Kosova ka nisur fushatën e vaksinimit kundër koronavirusit në mars të vitit të kaluar.
Prej atëherë janë dhënë mbi 1.8 milion doza të vaksinës.
Deri më tani, me dy doza të vaksinës janë imunizuar 817,292 persona apo 45.3=5 për qind e popullsisë.
Doza përforcuese e vaksinës mund të merret pas tre muajsh të marrjes së dozës së dytë. /Nacionale.com/