Gjashtë të vrarë nga sulmet ruse gjatë fjalimit të Putinit, thotë Ukraina - NACIONALE

Gjashtë të vrarë nga sulmet ruse gjatë fjalimit të Putinit, thotë Ukraina

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Të paktën një raketë ruse ra në një rrugë të ngarkuar në qytetin jugor ukrainas, Kherson, të martën, duke vrarë gjashtë persona, përderisa presidenti rus, Vladimir Putin, po mbante një fjalim që e shënoi 1-vjetorin e luftës në Ukrainë, thanë zyrtarët lokalë.

Ushtria ukrainase dhe autoritetet e qytetit thanë se 12 të tjerë u plagosën nga ky sulm. Një correspondent i agjencisë “Reuters”, i cili ishte në vendin e ngjarjes pak kohë pas sulmit, tha se aty u pa shumë gjak në trotuar, pranë një vendndalimi për autobusë.

Nga shpërthimi u dëmtuan rëndë edhe disa dyqane prapa vendndalimit të autobusit, kabllat e rrymës u këputën dhe dritatert e objekteve në anën tjetër të rrugës u thyen.

“Është pjesë shumë e ngarkuar këtu në këtë kohë të ditës, prandaj ndoshta ka shumë viktima. Është vërtetë e frikshme. Ata edhe qëllojnë aty ku jetojmë”- tha Viktoria, e cila po priste një autobus. Ajo nuk ua tregoi gazetarëve mbiemrin.

Autoritetet lokale thanë se qyteti Kherson u sulmua me zjarr nga disa raketahedhës gjatë kohës që presidenti rus po mbante një fjalim me akuza për Perëndimin, të cilin e akuzoi për fillimin e agresionit në Ukrainë.

Rusia nuk i komentoi menjëherë ngjarjet në Kherson. Megjithatë, ushtria ukrainase tha se rreth 20 raketa janë hedhur në drejtim të këtij vendbanimi.

“Ushtria ruse është duke e bombarduar rëndë Khersonin. Përsëri pa mëshirë duke vrarë popullsi civile. Bota nuk ka të drejtë që të harrojë as për një moment të vetëm që mizoria dhe agresioni rus nuk njohin kufij”- shkroi në rrjete sociale presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ukraina e mori nën kontroll Khersonin në nëntor të vitit të kaluar, tetë muaj pas pushtimit rus, duke i detyruar forcat e Moskës që ta braktisnin kryeqytetin e vetëm rajonal që e kishin pushtuar që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022.

Lajme të ngjashme