Gëzimi i Fitore Pacollit Vs. Idhnimi i Arbër Rexhajt për liberalizimet “komplementare” të vizave - NACIONALE

Gëzimi i Fitore Pacollit Vs. Idhnimi i Arbër Rexhajt për liberalizimet “komplementare” të vizave

2 vjet më parë

nga Xhezair Dashi

Janari, konsensualisht, njihet për muajin më të gjatë të vitit që s’i shihet fundi në horizont me një brengë si lajtmotiv: pritshmëria e pagës në fund të muajit që duket sikur s’vjen kurrë.

Për Lëvizjen Vetëvendosje, janari kishte shënuar freskimin e madh e të vetëm politik të prekshëm kur qe hequr regjimi i vizave për shtetasit kosovarë; dhe, sipas tyre, me të vetmit meritorë: ata.

Dhe, kjo, pavarësisht se mbi 90-e-kusur kushte për liberalizimin ishin përmbushur nga qeveritë paraprake.

Deputetja Fitore Pacolli kujdesej të postonte para-dhe-pas çdo diteje të lume duke numëruar “edhe tri...edhe dy...edhe një ditë deri në liberalizim të vizave”; dhe, kur u liberalizuan, numërimin prapa: “Një ditë...dy ditë...tre ditë...tridhjetë ditë që nga liberalizimi i vizave”.

Edhe 15 ditë. 1 janar udhëtojmë pa viza. Me dy vjet e gjysmë në qeveri e arritëm ndërsa ata na gënjyen për më shumë se 10 vjet”, këndonte deputetja.

Vonesa e përfundimit të janarit në pritshmëri të pagës shërohej me brohoritjen e pafundme të pushtetit të kësaj arritjeje, sipas tyre, të tyre. Ishin kohë vendosjeje të vetes në piedestal të suksesit dhe trumbetimi të madh: Qe, liberalizuam vizat në Schengen.

Lavdi i qeverisë?

Është puna dhe angazhimi i qeverisjes së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe ka bindur vendet anëtare të BE-së ta caktojnë datën 1 janar 2024, si datën e fundit prej të cilës qytetarët tanë do të lëvizin pa regjimin e vizave. Kosova në dy vitet e fundit përmes miratimit të mbi 100 ligjeve kreu reformën më të lartë ndonjëherë në kuadër të integrimit evropian”, thoshte Qeveria e Kosovës.

Por...u deshën shtatë muaj më pas që ky ekzaltim të tregonte një anë tjetër të medaljes; i.e, anën e shëmtuar të asaj medaljeje: njohja/liberalizimi i vizave për pasaportat ilegale serbe të lëshuara nga e ashtuquajtura Drejtori Koordinuese “për Kosovën” brenda Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Bashkimin Evropian e pyetëm: ç’u bë?

Është komplementare (plotësues) me liberalizimin e vizave për pasaportat e Kosovës”, na thanë nga Komisioni Evropian.

Me këtë përgjigje, Komisioni Evropian rrëzoi si kështjellë prej rëre krejt atë arkitektonikën e lavdeve të qeverisë kosovare. Pse? Sepse “liberalizim komplementar me tuajin”.

Kështu, sipas BE-së, liberalizimi i vizave për mbajtësit e pasaportave Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë që pretendon juridiksion mbi një shtet tjetër nuk u dhanë të jenë përjashtuese ndaj njëra-tjetrës, por "komplementare".

Lavde për këtë “komplementaritet” nuk mori askush: Përkundrazi e devijuan në një betejë me mediat kosovare duke i serbëzuar në Radio Televizionin Publik.

Vetëm një deklaratë lëshoi Qeveria e Kosovës: dhe atë dërguar dy mediave, “Dukagjinit” dhe “Telegrafin” ku thanë, nën volumin më të butë publik, se, po, vendimi i BE-së, përbën shkelje sovraniteti.

Shprehim zhgënjimin tonё me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian”, thanë nga zyra e Bislimit, përkatësisht këshilltarin xhunior të tij, Klisman Kadu.

Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, thanë.

Jo pakkujt kjo ia solli ndërmend Preambulën e Marrëveshjes Bazike – sipas, Albin Kurtit, “arritja më e madhe e qeverisjes sonë në politikën e jashtme” – ku, Palët, i.e Kosova dhe Serbia, nisem nga mosgjykimi i “çështjes së Statusit”.

Kjo, në vend, ishte parë si pajtim implicit i Kosovës për të mos ia paragjykuar Statusin vetes, i.e: status ky i përmbyllur me shpalljen e Pavarësi së Kosovës dhe konfirmimin nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e denoncoi ashpër këtë vendim, i cili, sipas tij, ka ardhur nga pasojat e qeverisjes së Albin Kurtit.

Kjo nuk ndodhi në një ditë, kjo ndodhi sepse kjo qeveri ishte e zënë me populizëm, me luftimin e mediave të lira, me ngulfatjen e demokracisë, duke mos pasur kohë për informim dhe afirmim të pozicioneve tona shtetërore në instancat e BE-së. Kjo ndodhi sepse krerët tanë institucional, ishin të zënë me ping pongun me temën e asociacionit. Harruan se Serbia vepron hapur dhe në fshehtësi!”, ka shkruar Tahiri.

Gëzimi i Fitore Pacollit para shtatë muajsh, sot u konkludua me idhnimin e Arbër Rexhajt, deputetin e Vetëvendosjes: “BE na minoi sovranitetin”, i tha në një prononcim medias “Ekonomia Online”.

Lajme të ngjashme