Gërvalla nuk tregon nëse për letrën e sotme është koordinuar me presidenten Osmani
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, nuk ka treguar nëse për letrën që ia ka dërguar sot Këshillit të Evropës është koordinuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
E pyetur nga gazetarët sot në konferencën për media për këtë çështje, Gërvalla ka thënë se kjo letër nuk përmban diçka të re nga letra e zotimeve që është nënshkruar në prill nga presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari.
“Sa i përket koordinimit në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës të jeni të sigurt se koordinimi në mes të institucioneve tona është si rrallë ndonjëherë në një nivel të jashtëzakonshme dhe të jeni të sigurt se edhe presidentja siç e keni parë ka qenë bashkënënshkruese e zotimeve dhe kjo letër e stome nuk është asgjë e re. Është vetëm një përsëritje, meqenëse sot i fillon punimet Ministeriali i Këshillit të Evropës për të ua bërë me dije të gjithë atyre që janë të pranishëm se Kosova është e gatshme dhe është e përgjegjshme për të ofruar një zgjidhje pozitive si për vendin ashtu edhe për minoritet tona, por edhe për të gjithë ata që e dëshirojnë Kosovën në Këshill të Evropës”, ka thënë Gërvalla.