Gërvalla kërkoi sfidë të gjendeshin pasaktësitë te 'tigri prej letre': Qe pasaktësia monumentale e saj - NACIONALE

Gërvalla kërkoi sfidë të gjendeshin pasaktësitë te 'tigri prej letre': Qe pasaktësia monumentale e saj

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz, ka provuar që ta arsyetojë shprehjen e saj “tigër prej letre” që ia ngjiti pardje Bashkimit Evropian (BE) duke sfiduar publikisht që të gjendeshin pasaktësitë në të. Nacionale iu sjell pasaktësinë 'monumentale'.

Gërvalla e bëri një postim në profilin e saj në Facebook mbrëmë vonë duke arsyetuar atë që e kishte thënë në Forumin e Dubrovnikut dhe e cila po shkaktonte shumë bujë në vendin tonë.

Shefja e diplomacisë tonë akuzoi disa ‘specialistë’ në thonjëza, akuzoi pastaj partitë opozitare, më specifikisht e akuzoi PDK-në dhe në një mënyrë edhe LDK-në.

Ajo e postoi pjesën e fjalimit të saj ku i thoshte BE-së “tigër prej letre” duke i sfiduar që të tregonin se cila shkronjë ishte e pasaktë. Më poshtë e keni përgjigjen për këtë sfidë.

Pasaktësitë

Përtej pasaktësisë tmerruese politike për të cilën do të flasim më poshtë, citati i vendosur nga znj. Gërvalla është i pasaktë vetëvetiu.

Në citatin e paraqitur prej saj ajo në mënyrë arbitrare hoqi analistin e rëndësishëm gjerman të cilin e kishte përmendur po në atë citim. Pra, e hoqi pa treguar një fjali të tërë.

Por, edhe fjali të tjera janë lënë jashtë që shprehin thelbin e asaj që ministrja e thotë.

Kryediplomatja kosovare po e quante “tigër prej letre” BE-në për të treguar pse politika e saj në raport me Kosovën dhe Serbinë ishte e gabuar. Pra, Gërvalla e akuzon Bashkimin Evropian se meqë është “tigër prej letre” ka një qasje të butë (appeasement) ndaj Vuçiqit. ‘Appeasement’ është fjala kyçe në ligjërimin e saj për 'tigrin prej letre'. Por, ajo megjithatë nuk e tregon një gjë të tillë në shkrimin e bërë mbrëmë.

Qe fjalitë që ajo i thotë për ‘tigrin e letrës’ e që nuk i ka postuar në shqip:

Qasja e butë e BE-së ftoi Putinin që të eskalonte. Dhe qasja e butë e fundit e BE-së në rajonin tonë po fton autokratët që të eskalojnë edhe më shumë, duke e testuar perëndimin e ndoshta edhe për të bërë edhe ndonjë luftë,”

Ajo më pas tregohet edhe më specifike duke e denoncuar rolin historik të BE-së përmes përmendjes së viteve specifike.

“Nuk është qasje e re e fuqive perëndimore evropiane.” – thotë ajo. “Është e ngjashme me 2014-n, 1939-n, 1991-n, 1992-n, 1999-n. Nuk ka storie suksesi të Evropës në parandalim të luftës.”

Në vitin 1939 BE-ja as nuk ekzistonte, por të mos merremi me këtë punë. Të merremi me atë se kah po çonin këto fjalë të Gërvallës.

Nëse BE-ja është tigër prej letre – nuk ka forcën që paraqitet se ka – dhe për rrjedhojë ndjek politikën e butë, të lëshimit pe, ndaj autokratëve si Vuçiqi, atëherë si ka mundësi të akuzohet dikush që nuk ka forcë?

Por, në rastin e Kosovës fjalët e Gërvallës janë edhe më absurde.

Akuza se BE-ja – për shkak se është tigër prej letre – po ndiqte politikë të butë ndaj Vuçiqit është njëkohshëm edhe akuzë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pse? BE dhe ShBA vazhdojnë të jenë në sinkronizim të plotë sa i përket politikave të tyre në raport me Kosovën, Serbinë dhe gjithë rajonin tonë siç është thënë në vazhdimësi nga Sekretari Blinken, emisari Escobar etj.

ShBA ka mbështetur BE-në edhe së fundi me planin tre-pikësh për daljen nga kriza aktuale.

Nëse BE-ja ka politikat që ka shkaku se është ‘tigër prej letre’, atëherë meqë po i ndjek të njëjtat politika a është ‘tigër prej letre’ edhe ShBA-ja? Dhe nëse jo, atëherë pse po i ndjek të njëjtat politika në raport me Kosovën dhe Serbinë si Bashkimi Evropian?

Kujtojmë se Kosova tashmë është duke u ndëshkuar nga BE-ja për shkak të politikave të Qeverisë Kurti në veriun e Kosovës. Ndëshkime janë paralajmëruar edhe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajme të ngjashme