Gërvalla e mbron, Kurti pret mysafirë me të - Martin Berishaj mbetet i paprekshëm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është paraqitur sot në takimin me homologun e tij kroat, Gordan Grlić Radman, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj. Pavarësisht se Berishaj ndodhet në qendër të një skandali financiar të madh, ai ende "nuk është dorëzuar" dhe po gjenë mbështetje në krerët e pushtetit.
Berisha u paraqit në takimin e ditës së martës me kryeministrin Kurti dhe homologun e tij kroat. Ai është shfaqur edhe një herë tjetër në një humor të shkëlqyer. Në krah të ambasadorit Berishaj doli edhe njëherë tjetër edhe Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila po vazhdon të kërkojë fakte për skandalin financiar të ambasadorit të Kosovës në Kroaci.

Në një konferencë për media pas takimit me homologun e saj nga Kroacia, Gordan Grlic-Radman, Gërvalla i bëri thirrje atyre që kanë dyshime për të sjellë faktet dhe jo të flasin vetëm me supozime.
Ajo theksoi se është koha që të gjithë ata që vazhdojnë fushatën e tyre duhet të pyesin veten nëse fushata po vazhdon vetëm në bazë të supozimeve, apo nëse ka ardhur koha për të sjellë faktet në tavolinë.
“Por mendoj që ka ardhur një moment kur të gjithë ata që e vazhdojnë fushatën do të duhej ta pyesnin veten, a thua a vazhdohet fushata vetëm në bazë të supozimeve apo ka kaluar aq kohë sa në ndërkohë do të duhen faktet në tavolinë para se të vazhdojmë me fushata, me kampanja politike ndaj personave të caktuar?” – ka thënë ajo gjatë konferencës për media pas takimit me homologun e saj nga Kroacia, Gordan Grlic-Radman.
Më tej, Gërvalla ka thënë se Berishaj është përgjigjur në pyetjet e Komisionit Parlamentar, ku sipas saj, të gjithë janë pajtuar dhe pastaj kanë deklaruar “diçka tjetër”.
“Në marrëveshje edhe me ministrinë e Punëve të Jashtme, ambasadori Berishaj i ka dhënë përgjigjet e tij në komisionin parlamentar ku është dashur të japë deklaratën e tij, e kam ndjekur me shumë vëmendje atë seancë të komisionit parlamentar, e kam parë që asnjë pyetje nuk ka mbetur pa përgjigje në atë seancë të komisonit parlamentar, edhe e kam parë miratimin e anëtarëve të komisionit të deklaratave të ambasadorit Berishaj gjatë asaj seance dhe prandaj më habit shumë fakti që pa pritur e pa kujtuar muaj më vonë, të njëjtit persona që kanë qenë të pranishëmn në atë seancë dhe që kanë pohuar dhe tundur kokën për secilën prej deklaratave të ambasadorit Berishaj më pas dalin dhe deklarojnë diçka krejt tjetër për një seancë të cilën e kemi parë të gjithë publikisht.” – ka thënë Gërvalla.
Martingate
Mediat sllovene e kishin zbuluar një skandal të madh financiar, ku është i përfshirë Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
Në këtë aferë, ku dyshohet për shpëlarje parash, duket që është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Vetëvendosjes, ku mediat sllovene tregojnë që i ka bartur në para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi për tek politikani slloven.
Televizioni slloven Planet TV në kronikën e transmetuar, tregonte se në xhirollogarinë e MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MB Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar, është Martin Berishaj.
Televizioni slloven kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Pagesat janë kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompani GEN ka marrëveshje për këshillime. Janë realizuar pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro në muaj, ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.
Media sllovene tregon që gjëja që e ka tërhequr më së shumti vëmendjen e hetuesve ka qenë fakti që pothuajse 600 mijë euro nga kompania MB Consulting rregullisht janë tërhequr në kesh.