Gërvalla dhe AKI-ja: Deklaratat që mund t’ju kenë ikur ndërkohë
Deklarata me zë e Rilind Gërvallës, ku adresë të lajmit të rremë për Nacionalen dhe Periskopin e bën AKI-në, rikthen edhe një herë në vëmendje një prej ngjarjeve të paprecedenta, të vetme në historinë e Kosovës së lirë - atë ku televizioni publik, u përdor nga pushteti për "serbizimin" e mediave kritike ndaj pushtetit.
“…dhe në momentin kur ty të vjen prej një agjencioni shtetëror që kanë organe verifikimi dhe analizash për këto çështje, natyrisht që ne e kemi pranu si të bazumë në fakte edhe natyrisht një ndër fjalitë e diskutimit që e kemi pasë me personin që është caktu përgjegjës për mediat dhe për takimet me to ai ishte në një seminar, po supozoj që atje ku është bërë lajmi, edhe tha po diskutohet shumë këtu edhe natyrisht ka dalë kjo në portalin këto edhe normalisht që është mirë që të publikohet’ – thotë Rilind Gërvalla në audion e publikuar dje nga mediumi Paparaci, deklaratë në Bordin e mbledhjes së jashtëzakonshme të RTK-së, ku ishte diskutuar kjo çështje.
Si mohohet përfshirja e AKI-së deri tani (përveç nga Rilind Gërvalla)?
Është vetë ky institucion i cili jo drejtpërdrejtë, por nëpërmjet mekanizmave siç është Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së që në vazhdimësi ka mohuar implikimin e institucionit në prodhimtarinë e lajmeve të rreme ndaj mediave dhe gazetarëve – të njohur kryesisht me qëndrime kritike ndaj Qeverisë.
Në një prej intervistave të para pak javësh, kryetarja e këtij Komisioni, znj. Ganimete Musliu, madje kishte treguar për një vizitë që ky Komision, kishte bërë në zyret e AKI-së specifikisht për këtë çështje.
“Është mohuar kategorikisht një gjë e tillë” – thotë Musliu në këtë emision duke sqaruar vizitën që kishin bërë në AKI, pas lajmit të rremë të publikuar në RTK.
“Me Komisionin Parlamentar kemi shku në institucionin e AKI-së. Kemi mbajtë një takim të përbashkët ku jemi informuar në detaje, kemi parashtruar të gjitha pyetjet dhe shqetësimet që kanë dalë nga opinioni dhe është mohu kategorikisht se një gjë e tillë ka ndodhur”, thotë Musliu në këtë emision.
Presidentja e Kosovës, znj.Vjosa Osmani – të cilës drejtori i AKI-së i raporton drejtpërdrejtë, në shtatorin e këtij viti, në emisionin ‘Kallxo’, e pyetur se ‘a e kishte pyetur drejtorin e AKI-së për këtë”, ishte përgjigjur me: “absolutisht po”.
“Absolutisht, po po i kam pyet në momentin e parë që është thënë një gjë e tillë dhe më është thënë që abolutisht një gjë e tillë nuk është e vërtetë. Tash dikush mundet me ja përmend emrin AKI-së”, pati deklaruar Presidentja Osmaninë intervistë me gazetaren Jeta Xharra.
E kur jemi te ky konstatim, se ‘dikush mundet me ia përmend emrin e AKI-së’, publikimi i audios ku ‘dikushi’ që mban pozitën e drejtorit të RTK-së, përmend AKI-në, për ish-kryeinspektorin e këtij institucioni, z.Burim Ramadani, ky ‘paradoks’ e kthen z.Rilind Gërvalla në një ‘dëshmitar kundër shtetit’.
“Nuk kam asnjë arsye me i besu fjalës së një zotërie, që realisht është duke u kthyer në dëshmitar kundër shtetit, duke qenë i emëruar nga pushteti, po kthehet në dëshmitar kundër shtetit.
Cili është qëllimi i Rilind Gërvallës në krejt këtë temë, kush po e orienton me hy në këtë formë që ka hy, qoftë në të vërtetën e tij qoftë në mashtrimin e tij. Prandaj besoj se AKI ka mekanizma të fuqishëm të kontrollit të brendshëm e po ashtu edhe mekanizmat e kontrollit të jashtëm – qysh është drejtësia, sepse po e gjuan pataten e nxehtë në një institucion të cilit i besojmë me zemër”, thotë Ramadani në emisionin e fundit në Pressing.
Lidhur me publikimin e fundit me audio, drejtori i Nacionales, Berat Buzhala, i bëri thirrje drejtësisë që ta hetojë këtë çështje. Në katërkëndëshin Buzhala – Mirena - Gërvalla – drejtori i AKI-së, dikush duhet të përfundojë në burg, thotë ai.
“Komisioni i Kuvendit te Kosoves qe e mbikeqyr AKI'ne, qe udhehiqet nga Ganimete Musliu, ish deshte neser, jo ma larg, me e thirre prape drejtorin e AKI'se, me e pyet per deklaraten e drejtorit te RTK'se, Rilind Gervalla, se informatat per Nacionalen dhe Periskopin, RTK'se ia kane dhane dy agjenta me pervoje ne AKI. Nuk eshte ne pyetje as Berat Buzhala as Ilir Mirena, eshte ne pyetje metoda ruse, metoda e Putinit, per me i etiketu mediat, per me i shpalle ato bashkepunetore me armikun. Ose duhet me u arrestu Rilind Gervalla, ose Berat Buzhala e Ilir Mirena, ose drejtori i AKI'se. E njejta thirrje e imja shkon edhe per prokurorin e prokurorise speciale te Kosoves, Blerim Isufaj. Le te merret me kete rast. Le ta zbardhe kete te vertete, qe ajo te mos perseritet. Eshte hera e pare ne historine e Kosoves, qe prej kohes se ish shefi te UDB'se per Kosove, mjaft ironike edhe ai nga ana e Gjilanit (pozitivisht mendoj per Gjilanin perndryshe) qe sherbimi sekret perdoret politikisht, kunder shqiptareve. Me na tute nuk na tutni, me u dorezu nuk dorezohemi, me lype pergjegjesi ndaj ketyne lahperave do te lypim”, shkruan Buzhala.