“Gazin s’mund ta ndalin”: Çka u kuptua deri tash për sulmin ndaj Muhaxherit?
Në mëngjes u njoftua se Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, është sulmuar fizikisht. Siç e konfirmoi Policia e Kosovës, dy persona janë arrestuar, ndërsa Muhaxheri është dërguar në spital për ekzaminime mjekësorë. Deri tani ka pasur shumë reagime për këtë sulm, pamjet e sëcilit i publikoi një asamblist i VV-së nga Peja. Çka dihet deri tani?
Sulmi ka ndodhur rreth orës 8:30, kohë kur Muhaxheri u sulmua nga dy persona.
“Sot rreth orës 08:50, në rrugën Bill Klinton, është sulmuar nga dy persona të dyshuar Kryetari i Komunës së Pejës i cili ka pësuar lëndime trupore, të dyshuarit janë arrestuar. Me urdhër të Prokurorit te shtetit te dyshuarit ndalohen për 48-ore”, ka thënë Driton Rugova, zëdhënës i Policisë për rajonin e Pejës.
Ndërsa zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, ka deklaruar se tashmë dy personaet e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Dy persona janë ndaluar për 48 orë për shkak se kanë sulmuar Kryetarin e Komunës së Pejës dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore. Të njëjtit janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë ndaluar për 48 orë nga prokurori i shtetit. Gjithashtu janë duke u marrë të gjithë veprimet e nevojshme në koordinim me Policinë e Kosovës për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, ka thënë Nikçi.
Pas sulmit, Muhaxheri ka publikuar një fotografi, ku ka treguar se është shëndosh e mirë.
“I rrethuar mes miqëve.
Pas sulmit te befasishëm, jam shëndoshë e mirë. Ju falenderoj të gjithëve për interesimin” – ka shkruar Muhaxheri.
Më shumë detaje për sulmin, por edhe për shëndetin e Muhaxherit, ka dhënë avokati i Muhaxherit, Dukagjin Kerveshi.
“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejrare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare.
Gjendja e Kryetarit është stabile. Duke besuar në efikasitetin e oragneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar!” – ka shkruar Kerveshi.
Në lidhje me këtë sulm ka pasur shumë reagime, kryesisht nga anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti nga e cila vjen edhe Muhaxheri. Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, ka shkruar se nuk Muhaxheri as nuk mund ta ndalin e as ta frikësojnë.
“Gaz Muhaxherin as s’mund ta ndalin e as s’mund ta frikësojnë. Është i gatuar ndryshe ky burrë!
Organet e drejtësisë të japin rezultate të shpejta e të mbajnë përgjegjës ata që me argumentin e dhunës e urrejtjes provojnë të ndalin një udhëheqës e njeri të lirë” – ka shkruar Abdixhiku.
Për sulmin ndaj Muhaxherit ka shkurar edhe deputeti i VV-së, Gramos Agusholli, i cili e quajti sulmin ndaj kryetarit të Pejës si “akt të shëmtuar”.
“Sulmi ndaj kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, është akt i shëmtuar dhe i pabesë.
U bëj thirrje organeve të rendit të ndërmarrin masat e nevojshme për të sjellë autorët para drejtësisë.
Pavarësisht dallimeve apo pakënaqësive, siguria dhe shëndeti i kryetarit të qytetit duhet të jetë prioritet për të gjithë” – ka shkruar Agusholli.