Zbarkon në Kosovë gazetarja e parë ukrainase
Në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë”, ka mbërritur në Kosovë gazetarja e parë nga Ukraina. Gjatë qëndrimit në Kosovë, atyre u sigurohen të ardhura mujore, strehim, kushte pune, kurse gjuhësore dhe integruese, si dhe mbështetje psiko-sociale sipas nevojës.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dërguar disa përfaqësues për ta pritur gazetaren në aeroportin “Adem Jashari”.
Me të arritut në Kosovë, gazetarja Makey tha që është rrezik që të jesh gazetare në Ukrainë, duke përmendur që rusët atje vranë 21 gazetarë deri më tani.
Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter i ka uruar mirëseardhjen gazetares ukrainase.

Sot Gervalla-Schwarz, Sveçla dhe unë, mirëpritem Lyudmila Makey, e para nga 20 gazetarët që do të presë. E detyruar të largohet nga shtëpia pas pushtimit rus, ajo do të vazhdojë të tregojë dhe raportojë të vërtetën në emër të popullit të saj nga ku shpresoj se së shpejti do ta quajë shtëpinë e saj të dytë. Mirë se vini!", ka shkruar Kurti në Twitter.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ishte zotuar se planifikon t’u ofrojë strehim deri në gjashtë muaj 20 gazetarëve ukrainas të detyruar të largohen nga vendi i tyre pas pushtimit nga Rusia.
Dokumenti qeveritar thoshte se përparësi do t’u jepet gazetareve gra të cilat do të zgjidhen nga Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF).

Lyudmila Makey është gazetarja e parë që ka mbërritur në Kosovë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë. Ajo mbërrit në Prishtinë sot pasdite ku u prit në Aeroportin e Prishtinës nga Kryetari i AGK-së , Xhemajl Rexha dhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari. Dhe përfaqësues së Policisë së Kosovës.
Në postimin e AGK-së në Facebook, thuhet se Makey falënderoj të gjithë ata që i mundësuat ardhjen në Kosovë.
Postimi i plotë i AGK-së:
Gazetarja e parë nga Ukraina mbërrin në Kosovë
Lyudmila Makey – gazetare nga Ukraina, është e para që ka mbërritur në Kosovë, sot në mesditë si pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë në Kosovë (Journalist in Residence in Kosovo)”.
Ajo është detyruar të largohet Ukraina për shkak të luftës. Zonja Makey është vendosur në Prishtinë dhe AGK-ja do të përkujdeset që ajo të vazhdojë punën nga Kosova.
Për javë të tëra, shumë institucione publike vendore dhe ndërkombëtare kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për të pritur gazetarët nga Ukraina.
Me të arritur në aeroport, Znj. Makey tha që sot është e rrezikshme që të jesh gazetare në Ukrainë duke përmendur faktin që forcat e okupatorit rus kanë vrarë 21 gazetarë në Ukrainë deri më tani.
“Falënderoj shumë të gjithë juve që më keni mundësuar të vijë në Kosovë. Ky program më mundëson që të mbetem në profesionin e gazetares. Jam thellësisht e prekur me faktin se si njerëz tërësisht të huaj dëshirojnë të na ndihmojnë. Besoj që bashkëpunimi ynë dhe solidariteti nga gazetarët tjerë është një hap i rëndësishëm drejt paqes”, shtoi ajo.
“Gazetarë në Rezidencë në Kosovë”, është program i inicuar nga Qendra Europiane për Liri të Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), i financuar dhe mbështetur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Punëve të Brendshme .
Programi është duke u zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës me mbështetjen e dy unioneve të gazetarëve në Ukrainë. Ky program ofron pagë mujore, akomodim në banesë, kushte për punë, kurse të gjuhës dhe të integrimit, si dhe ndihmë psiko-sociale sipas nevojës.
Zonja Makey është pritur në aeroport nga Xhemajl Rexha (AGK), Flutura Kusari (ECPMF), si dhe përfaqësues të MPB-së e Policisë së Kosovës.