Gati 5 vite burg për ish-kryespiunin e Kosovës: Çka duhet të dini për rastin e gjashtë gylenistëve?
Driton Gashi, ish-shef i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), është dënuar sot me katër vjet e tetë muaj burgim për akuzën e dëbimit të paligjshëm të gjashtë shtetasve të Turqisë, lëndë e cila në publik njihet si rasti i gylenistëve. Në fakt, rasti i gylenistëve kishte tronditur opinionin kosovar, duke u shndërruar në temë kombëtare, madje ishte themeluar edhe një komision hetimor nga Kuvendi i Kosovës, ku ishte intervistuar edhe ish-presidenti Hashim Thaçi. Çka duhet të dini për rastin e gylenistëve?
Pesë vite më parë, më saktësisht më 29 mars të vitit 2018, institucionet kosovare me kërkesë të presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, kishin dëbuar nga Kosova gjashtë qytetarë të Turqisë, të cilët kërkoheshin si pjesëtarë të lëvizjes Hizmet, që drejtohet nga kleriku turk, Fethullah Gylen, të cilën Turqia e konsideron si organizatë terroriste e përgjegjëse për grusht-shtetin e dështuar të 15 korrikut të vitit 2016.
Në momentin kur u bë publike, rasti ngjalli reagime të shumta. Më vonë u mor vesh se Mustafa Erdem, Jusuf Karabina, Karhaman Demirez, posedonin leje të përhershme të qëndrimit në Kosovë, ndërsa Hasan Hysejin Demir dhe Cihan Ozkan kishin leje të përkohshme. Madje, njëri nga të dëbuarit, më saktëissht Hasan Hysejin Demir, ishte dëbuar në mënyrë të gabuar, pasi kërkohej një tjetër qytetar turk me emrin e ngjashëm Hasan Hysejin Gynakan.
Sidoqoftë, për shkak të dyshimeve për shkelje të ligjit, Kuvendi i Kosovës kishte themeluar një komision hetimor, të cilin e kryesonte opozita e asaj kohe, ndërsa kryetar i komisionit ishte përzgjedhur Xhelal Sveçla, aktualisht ministër i Brendshëm në Qeverinë Kurti II.
Në fakt, kryeministri Albin Kurti, atëbotë si lider i opozitës, e kishte kritikuar ashpër vendimin për deportimin, duke e akuzuar ish-presidentin Thaçi për vendime despotike e abuzive.
“Kosova është Republikë Parlamentare, që ka president despotik e abuziv, dinak e persekutues, i cili ka marrë me qira një kryeministër i cili krejt çfarë ka dashur tashmë e ka. Demokraci e drejtësi do të thotë që këta gjashtë persona t'ia kthejnë ndjekjen autorit.” – shkruante Kurti.
Gjatë procesit të hetimit parlamentar, ishte intervistuar edhe vetë ish-presidenti Hashim Thaçi. Ndërsa hetimi i komisionit të Kuvendit, kishte gjetur 31 shkelje kushtetuese e ligjore gjatë deportimit të gjashtë gylenistëve.
“Më 29 mars të vitit 2018, dy agjencitë kryesore për siguri në vend, me urdhrin e eprorit të tyre, bënë shkeljen më të madhe të sovranitetit të vendit tonë, nga vetë ata që duhet në mënyrë aktive ta mbrojnë, do të thotë AKI (Agjencia e Kosovës për Inteligjencë) dhe Policia e Kosovës.” – theksonte Sveçla.
Aktakuza dhe dënimi
Sot gjatë ditës, Gjykata Themelore në Prishtinë ia shqiptoi një dënim me burg ish-kryespiunit të Kosovës, Driton Gashit. Në vendimin e Gjykatës Themelore, siç njoftoi Radio Evropa e Lirë, Gashi u shpall fjator për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Ndryshe, sipas aktakuzës, të cilën e ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës, Gashi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat sipas kompetencës. Tutje, sipas aktakuzës, Gashi ka rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit dhe mosdhënien e lejes për njërin prej tyre “për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit”.
Ndërsa, nga akuza janë liruar Valon Ramadani, ish-drejtor i Depratamentit për Shtëtësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme, dhe Rrahman Sylejmani, ish-drejtor i Drejtorisë për migracion dhe të huaj në kuadër të Policisë Kufitare.
