“Fushata” e Kurtit dhe Gërvallës në diasporë nxit reagime: Me para të taksapaguesve nga Kosova - NACIONALE

“Fushata” e Kurtit dhe Gërvallës në diasporë nxit reagime: Me para të taksapaguesve nga Kosova

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ditëve të fundit, Albin Kurti e Donika Gërvalla kanë nisur takime me mërgimtarë, shumica të organizuara nga ambasadat e Kosovës nëpër vende të ndryshme. Një gjë e tillë ka shkaktuar shumë reagime, duke u parë si fushatë.

Në lidhje me këtë, të shtunën Partia Demokratike e Kosovës mbajti një konferencë për media. Sekretarja e Përgjithshme, Vlora Çitaku vlerësoi se pushteti po keqpërdorë paratë e kosovarëve për fushatë partiake.

“Ditëve të fundit, Kryeministri i Kosovës dhe Ministrja e Punëve të Jashtme po e keqpërdorin hapur pushtetin e tyre politik, paratë e taksapaguesve dhe institucionet tona për të kryer një fushatë partiake në diasporë. Kjo qeveri—e zgjedhur për t’u shërbyer qytetarëve, tani po e kthen shtetin dhe burimet e tij në mjete për përfitime partiake” – ka thënë Çitaku.

Gjatë javës ndërkaq, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti ka thënë se takimet po mbahen në kuadër të parafushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare.

“Nëse po, takimin e tillë do të duhej ta njoftonte Vetëvendosje, siç bëjnë partitë politike normalisht kur shkojnë drejtuesit e tyre në tubime politike me përkrahës në diasporë.

Nëse jo, natyra e "takimit të veçantë" do të mund të specifikohej”.

Në anën tjetër, analisti Artan Behrami ka thënë se këto takime po bëhen me para të taksapaguesve.

“Një sallë kushton nga 8-15 mijë euro. Biletat, akomodimi. T’the e t’thash. Plus asnjë flamur i Kosovës.

Krejt këto me para të taksapaguesve!”.

Krejt këto reagime, kanë nervozuar kryediplomaten Donika Gërvalla, e cila në një postim të gjatë në Facebook, ka hedhur akuza të rënda në drejtim të opozitës.

Madje, ajo duke i reaguar Çitakut, ka thënë se “këta që keqpërdorën diplomacinë dhe shtetin po bëjnë thirrje për sabotim”.

“..., pikërisht këta keqpërdorues masiv të diplomacisë dhe shtetit mbajnë konferenca për shtyp dhe thërrasin diplomatët e Kosovës që të bojkotojnë dhe sabotojnë shtetin.” – ka thënë ajo.

Këtu vlen të theksohet se Gërvalla në krye të diplomacisë së Kosovës, është kritikuar shumë për punën e saj, madje, s’i ka sjellur vendit as edhe një njohje për katër vjet.

Ndërkohë, reagimet nisën me të madhe pasi Ambasada e Kosovës në Austri bëri thirrje për pjesëmarrje në tubimin e Gërvallës dhe Kurtit.

“Në kuadër të qëndrimit në Austri, ai së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, sot do të takohen me bashkatdhetarë tanë dhe miq të shtetit të Kosovës në një organizim të Ambasadës së Kosovës në Austri” – thuhej në këtë postim.

Megjithatë, i njëjti nuk ndodhet më në faqen e Ambasadës në Facebook, derisa duket të jetë fshirë nga aty.

Lajme të ngjashme