Frika e pushtetit nga Gjykata Kushtetuese: VV-ja e kritikon ashpër PDK-në pse i dërgoi për shqyrtim 16 ligje
Qeveria dhe Lëvizjes Vetëvendosje duket se po iu frikësohen verdikteve të Gjykatës Kushtetuese.
Zyrtarëve të pushtetit nuk ia ka pëlqyer veprimi i sotëm i PDK-së për t`i dërguar në Gjykatë Kushtetuese 16 ligjet, të cilat janë miratuar në seancën e fundit të Kuvendit.
Ata e kanë kritikuar ashpër PDK-në për një gjë të tillë, duke thënë se veprimin e kanë bërë për interesa të ngushta partiake.
Veprimi i partisë më të madhe opozitare e ka nervozuar edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo ka bërë me dije se partia opozitare po i trembet Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë.
Në profilin e saj në “Facebook”, Haxhiu ka shkruar veprimin i PDK-së tregon friken e kësaj partie nga Byroja për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë.
“PDK sërish e paskan dërguar Ligjin për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, në Gjykatën Kushtetuese. Kjo lëvizje tregon më së miri frikën e tyre të thellë ndaj këtij ligji, i cili rrezikon të prekë rrënjët e korrupsionit që ata vetë kanë kultivuar ndër vite. Me këtë veprim, është e qartë se angazhimi i tyre politik nuk ka më të bëjë me aspirata apo vizione për të ardhmen, por thjesht me një përpjekje të dëshpëruar për të mbrojtur pasurinë kolosale të fituar padrejtësisht në të kaluarën”, ka shkruar Haxhi.
Sipas saj, veprimi i PDK-së do të gjykohet nga populli më 9 shkurt.
“Kjo është lufta e tyre për të mbajtur atë që kanë grabitur në kurriz të qytetarëve. 9 shkurti do të jetë dita ku sërish do të ballafaqohen interesat e tyre të ngushta përballë vullnetit popullor për qeverisje të drejtë, dhe luftë ndaj krimit të organizuar e korrupsionit. Pra siç kemi thënë: ju edhe mund të na vononi, por kurrë nuk do ta ndalni vullnetin e popullit për drejtësi. Byroja do të bëhet. Pasuria do t'i kthehet shtetit dhe qytetarëve. Drejtësia do të mbizotërojë!”, ka vlerësuar ajo.
Në të njëjtën mënyrë ka qenë edhe reagimi i shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari- Lila.
Ajo ka thënë se veprimin i PDK-së është kundër interesave të qytetarëve.
“Pamë se kjo parti janë pozicionuar kundër qytetarëve dhe interesit të tyre, duke përdorur Kushtetuesen për interesa të tyre. Atë çfarë kanë përvetësuar jashtëligjshëm kur kanë qenë në pushtet, duan të mbrojnë me mekanizma ligjor tashmë nga opozita”, ka thënë Kusari-Lila.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka treguar arsyet pse sot ka dërguar për shqyrtim në Kushtetuese 16 ligje.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se seanca e 5 dhjetorit, ku janë miratuar këto ligje, nuk është thirrur në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
“Sot i dërguam në Gjykatën Kushtetuese ligjet e seancave të javës së kaluar, me procedurat e miratimit të të cilave, shumica parlamentare vendosi një rekord të zi parlamentar. Si grup parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, nuk mund të lejonim legjitimimin e një standardi tepër të dëmshëm i cili minon punën e Kuvendit si institucioni i lartë i demokracisë, si dhe cenon rolin, funksionin dhe mandatin e deputetëve si përfaqësues të popullit”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se seanca ku janë miratuar 16 ligje ka qenë e improvizuar.
“16 ligjet e kontestuara sot, janë karakterizuar me shkelje flagrante të procedurave të shqyrtimit të tyre, duke u miratuar në seanca të improvizuara e njëpasnjëshme të cilat kanë rezultuar me shkelje të të drejtave kushtetuese të deputetëve dhe të komisioneve parlamentare”, ka shkruar ai.