Fjala e mbrojtjes në Hagë, shtyhet për në orën 17:00 senaca konstituive - NACIONALE

Fjala e mbrojtjes në Hagë, shtyhet për në orën 17:00 senaca konstituive

3 javë më parë

nga NACIONALE

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet të mërkurën nga ora 17:00, anise ishte paraparë të fillonte nga ora 12:00. Kjo, për shkak të zhvillimeve në Hagë, ku mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do ta ketë fjalën gjatë gjithë ditës.

Kjo është konfirmuar nga Dimal Basha, pas takimit me përfaqësuesit e partive politike.

“Ora ka ndryshuar, me kërkesë të nënkryetares Vlora Citaku, për shkak të rrethanave nesër ku mbrojtja do të ketë fjalën gjatë gjithë ditës nesër, në respekt të asaj që po ndodhin në Hagë, të gjitha subjektet politike kanë pranuar që seanca konstituive të mbahet në ora 17:00, pastaj të vazhdohet për formimin e Qeverisë” – ka thënë ai.

Theksojmë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me të pranuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor certifikimin e rezultateve zgjedhore, menjëherë thirri seancën konstitutive.

Në njoftimin për publik Presidenca shkroi se është konsultuar “me shumicën e partive parlamentare” por s’tregoi se me kë jo.

Mbrëmë ajo priti në takim kreun e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, por jo edhe Albin Kurtin e Vetëvendosjes.

Në ato takime u tha se biseda ka qenë thjesht për Bordin e Paqes të Donald Trump, por jo edhe çështja e kuvendit.

“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00" - u tha në komunikatë.

Deri më 4 mars, afati për zgjedhje të presidentit

Vjosa Osmani ishte vendimtare në fitoren bindëse të Vetëvendosjes. Për të çuar vendin në zgjedhje më 28 dhjetor, Albin Kurti përdori për muaj me radhë manovra procedurale për të shmangur votimin e një qeverie për të cilën nuk i kishte numrat.

Në këtë proces, ai gjeti mbështetje të plotë te Presidentja Osmani: ajo tërhoqi një lëndë nga Gjykata Kushtetuese, ia dha mandatin e dytë Glauk Konjufcës pa dëshmi votash dhe, në fund, caktoi datën e zgjedhjeve në kulmin e pranisë së diasporës, elektorat kyç për Vetëvendosjen. Brenda pak kohe, këto veprime kontribuuan drejtpërdrejt në rezultatin prej mbi 51%.

Megjithatë, ky “borxh politik” nuk po kthehet në garanci për rizgjedhjen e Osmanit presidente. Pas 28 dhjetorit, Kurti e ka zbutur diskursin dhe është tërhequr pas “procedurave” dhe “rendit të gjërave”, pa dhënë zotim të qartë për mandatin e dytë të saj. As Vetëvendosja dhe as partnerët e saj nuk e kanë konfirmuar hapur mbështetjen.

Ndërkohë, opozita kërkon marrëveshje politike paraprake. PDK dhe LDK kanë paralajmëruar se pa konsensus nuk do ta votojnë presidentin, madje as nuk do të sigurojnë kuorum.

Lajme të ngjashme