Filmat me (mos)certifikimin e Listës Serbe, Ambasada e Gjermanisë: Negative për reputacionin e Kosovës
Filmi i përsëritur tash e tri herë brenda vitit ku në KQZ nuk certifikohet Lista Serbe dhe pastaj urdhërohet certifikimi nga PZAP dhe Gjykata Supreme, është gjë që “ndikon negativisht në reputacionin ndërkombëtar” të Kosovës, kanë thënë nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.
Në një përgjigje për mediat serbe në Kosovë, Ambasada e Gjermanisë ka përsëritur kritikën ndaj anëtarëve të Vetëvendosjes në KQZ për “manovrime politike” dhe “sjellje penguese”.
“Siç e theksuam javën e kaluar, procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike nga aktorët politikë. Sjellja penguese e disa anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të cilët refuzojnë të verifikojnë Listën Serbe dhe kandidatët e saj, ndikon negativisht në reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, kanë thënë nga Ambasada gjermane.