Fillon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel - NACIONALE

Fillon takimi Kurti-Vuçiq në Bruksel

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka filluar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kurti dhe Vuçiq zhvilluan paraprakisht takime të ndara me ndërmjetësuesit e procesit, shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Sipas njoftimit të BE-së, temë e takimit trepalësh është zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, e arritur gojarisht mes Kurtit dhe Vuçiqit në muajin shkurt.

Kjo marrëveshje me 11 nene parasheh, mes tjerash, një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë; kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, dhe i obligon ato që të mos e pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese.

Kurti dhe Vuçiq, sipas agjendës që ka publikuar BE-ja, do të diskutojnë edhe për “çështjet aktuale”.

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje që t'i marrin seriozisht obligimet e tyre.

Pritjet e Qevrisë nga takimi

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka treguar për pritjet e Qeverisë për takimin e nëntë Kurti-Vuçiq.

Ai ka thënë se Qeveria pret që takimi i sotëm në Bruksel në mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq të fokusohet në sekuencimin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

Ai ka vlerësuar se ky zbatim duhet të jetë i drejtë dhe i balancuar.

Kanë kaluar 1 vit prej prezantimit të parë të draftit të Marrëveshjes Bazike dhe po bëhen tash 6 muaj prej dakordimit mbi tekstin final të Marrëveshje Bazike në Bruksel. Duhet zbatim i plotë, i shpejtë dhe pa kushte i saj. Në takimin e të enjtes, presim që pika e kyçe e takimit që jetë diskutimi drejt finalizimit të planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, i cili duhet të jetë i drejtë, i balancuar dhe gjithëpërfshirës”, ka deklaruar Kryeziu për RTV21.

Ai ka folur edhe për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Sipas tij, këto masa tashmë kanë humbur edhe kuptimin dhe duhet të largohen.

Masat kanë qenë të padrejta prej fillimi. Tash përfundimisht kanë humbur edhe kuptim meqë në njërën anë de-eskalimi praktikisht ka ndodhur, ndërkaq në anën tjetër Kosova po e zbaton me përpikëri marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian të arritur në Bratislavë me 10 korrik. Kanë kaluar më shumë se dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz dhe protesta e fundit e dhunshme, në dhe rreth ndërtesave komunale ka tani 50% më pak prani të Policisë së Kosovës ndërkohë që ka më shumë punëtorë administrativë që i shërbejnë qytetarëve”, është shprehur ai, duke shtuar se Qeveria tashmë ka finalizuar edhe Udhëzimi Administrativ, i cili u hap rrugë zgjedhjeve të reja në veri.

Fatkeqësisht, masat e kanë dëmtuar edhe procesin e dialogut. Andaj sa më parë që largohen ato, është mirë edhe për Bashkimin Evropian dhe çka përfaqëson ky union por edhe për Kosovën”, është shprehur Kryeziu.

Lajme të ngjashme