Fillon takimi i presidentes Osmani me Gabriel Escobar - NACIONALE

Fillon takimi i presidentes Osmani me Gabriel Escobar

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.

Takimi është duke u mbajtur në Presidencë dhe pas takimit është njoftuar se do te ketë deklaratë për medie.

Ndërkaq është bërë e ditur se Escobar, pas Osmanit do të zhvilloj takim edhe me krerët e opozitës, ndërsa me kryeministrin Albin Kurti do të takohet nesër.

Ky takim vjen pas disa deklaratave nga Gabriel Escobar lidhur me dinarin e dialogun, dhe raportet me qeverinë e Kosovës.

“Goxha sinqerisht, pjesë e arsyes që ambasadori Hovenier u desh të dalë e të nënvizojë se është bërë e vështirë për ShBA-në të jetë avokat në arenën ndërkombëtare është shkas se rruga për në BE dhe NATO shkon përmes pesë mosnjohësve në BE dhe katër në NATO. Të gjitha këto vende, para se të ecin përpara, do të dëshironin të shihnin lëvizje për të gjitha çështjet që përfshihen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.

Emisari amerikan ishte kristal i qartë se ndihet “tejet i shqetësuar” me mos dëgjimin e ofertës së ShBA-së nga ana e qeverisë së Kosovës.

"Duke injoruar dialogun, Kosova po injoron partnerët e saj evropianë, kështu që është e pamundur që ne t'i bindim ata që të ecin përpara në integrimin e mëtejshëm të Kosovës. Pra, po, jam tejet i shqetësuar që Kosova nuk po e dëgjon ofertën amerikane për partneritet për ta çuar më tej dhe më shpejt integrimin e Kosovës.” – tha Escobar.

Mbetet të shihet se cilat mund të jenë mesazhet e Escobar gjatë konferencës me presidenten Osmani.

Lajme të ngjashme