FEG kërkon nga partitë politike fuqizimin ekonomik të grave - NACIONALE

FEG kërkon nga partitë politike fuqizimin ekonomik të grave

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Forumi Ekonomik i Grave (FEG) ka kërkuar nga të gjitha partitë politike që në programet e tyre zgjedhore të përfshijnë pesë prioritete kyçe që lidhen me fuqizimin ekonomik të grave.

Koordinatorja e Forumit Ekonomik të Grave në Kosovë, Saxhide Mustafa, duke përmendur këto prioritet ka bërë me dije se do të përmirësohet gjendja e gruas në shoqërinë tonë.

“Forumi ekonomik i grave, si koalicion i organizatave të shoqërisë civile, këto ditë ka dalë me një deklaratë me 5 pika dhe ka kërkuar nga partitë politike zotimin e tyre që në qeverinë e ardhshme të miratojnë ligjin e ri të punës, të investojnë më shumë në çështjet e kujdesit qoftë për fëmijët e qoftë për të moshuarit, institucionalizimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, të krijojnë një grant specifik për financimin e shërbimeve sociale, të rrisin fondin për gratë ndërmarrëse dhe për organizatat e shoqërisë civile të cilat merren me barazi ekonomike dhe barazi gjinore”, ka thënë ajo në një intervistë për EO.

Sipas saj, ndryshimi i Ligjit të Punës mbetet një nga kërkesat kryesore të Forumit Ekonomik të Grave.

Ajo ka bërë me dije se gratë vazhdojnë të përballen me pengesa strukturore në tregun e punës.

“Ka vite që Forumi Ekonomik i Grave është duke avokuar për ndryshimin e ligjit të punës. Ligji aktual i punës i cili që tetë vite është në amendamentim apo kërkon një ndryshim të plotë për arsye se ky ligj kërkon një reformë të gjerë për të evidentuar apo për t’i adresuar disavantazhet strukturore të cilat gratë i hasin në tregun e punës. Aktualisht pra, vetëm rreth 25% e grave janë pjesëmarrëse në tregun e punës, janë aktive në tregun e punës, ndërsa 74% e grave mbesin jashtë tregut të punës. Prandaj, hulumtimet tregojnë se pjesëmarrja e grave në tregun e punës do të rriste, do të ndikonte në rritjen e bruto produktit vendor, do të rriste ekonominë e Kosovës sepse kjo nuk është vetëm një barazi sociale që ne po kërkojmë në tregun e punës, po është një zhvillim ekonomik që ndikon në gjithë vendin. Prandaj kjo është e domosdoshme që ky ligj më në fund ta merr adresimin e tij në qeverinë e ardhshme”, ka deklaruar ajo.

Lajme të ngjashme