Fasadë nacionaliste që përzbutet kur vjen në pushtet: Dukagjin Gorani për fitoren e VMRO-së
Për gazetarin Dukagjin Gorani, fitorja e madhe e VMRO-së në Maqedoninë e Veriut, tregon se Ballkani është i përfshirë nga një politikë e cila luan me një ‘fasadë nacionaliste’.
Por sipas tij, me të marrë pushtetin, ato ‘përzbuten’.
Gorani tha në Pressing – që të plotë e sjell Nacionale deklaratën e tij – se vonesa integrative në BE, ka prodhuar një sentiment te shoqëritë e Ballkanit, ku pushtetin e marrin partitë që thonë: ta hajë dreqi me Bashkim Evropian, me Uashington, me NATO e me Perëndim.
Deklarata e plotë e Goranit:
“Është loja me nacionalizëm që po luhet në rajon dhe për mua, për arsye të panjohura, ka fillu me u shndërru në një trend gjithandej popullor në krejt rajonin.
Tash unë nuk e di a është kjo vetëm një farsë, që gjithmonë ka synim rotacionin e pushtetit dhe marrjen e pushtetit nga ana e një grupi që e ka mendu veten të margjinalizumë gjatë viteve edhe don me u kthy në pushtet apo është dicka më e strukturume.
Në kuptimin e asaj që shtetet e Ballkanin, Bosna, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia, e qe besa edhe Kosova pra nëse ato vërtetë kanë vendosë me u largu prej perspektives evropiane dhe në një mënyrë kanë vendosë me e lanë vetën në një formë stand by, duke mos i pa integrimet euro atlantike si urgjente dhe emergjente.
Aktualisht sot, unë nuk e di cfarë loje po e luajnë shoqëritë dhe partitë ballkanike ku edhe Maqedonia me sjelljen e tillë nuk bën përjashtim.
Mendja po më shkon që VMRO po e përdorë atë që është shndërru në standard elektoral nëpër Ballkanin Jugperëndimor, e ajo është me e ndërtu ni fasadë nacionaliste, shoveniste, populliste meqenëse ekziston bindja që popullatat ballkanike që nuk dallohen shumë as me ni intelekt të sofistikumë e as me ndonjë njohuri të madhe politike, ato shumë ma lehtë anojnë edhe votojnë parti dhe lëvizje me një vokabular ma brutal, agresiv dhe simplistik – ma të përthjeshtësumë.
Në njërën anë, kështu ma së lehti fitohen zgjedhjet meqë bëhet fjalë për një narrativ që po thonë, për ni tregim brutal nacionalist edhe sovranist.
Në anën tjetër, pse mendoj që është fasadë, është fakti që këto janë së pari shtetet anëtare të NATO-së, si Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, Shqipëria, pra nuk janë vetëm Serbia dhe Kosova.
Duke qenë antëarë të NATO-së, përkushtimi i këtyne shteteve është aq i madh sa ato ndërhyjnë edhe në mënyrën qysh ti e zhvillon politikën e brendshme.
E kam bindjen që fitorja e partive si VMRO, është fitore dhe me prapavi kryekëput pragmatik dhe klientelist.
Pra bëhet fjalë për një parti që ka qenë në pushtet 12 vjet. Nuk është organizatë që mund të ngritet në emër të korrupsionit, kryetar i kësaj partie ishte Nikolla Gruevski që vazhdon me qenë në arrati për hajni masive.
Mendoj se bëhet fjalë për tregim klasik ballkanik.
Një pjesë e madhe e shoqërisë në Maqedoni, ndihet që është e anashkalume dhe lyp me u kthy në pushtet meqë në Ballkan pushteti politik është formulë përfitimesh dhe pasunim gruporë, është ma lehtë se futja e vështirë në tregun e barabartë, ekonomisë së lirë të tregut, ato janë shumë të lodhshme, më së lehti është me e marrë arkën e shtetit edhe me kontrollu pushtetin, asisoji perspektiven e ke ma të sigurtë.
Tregimi integrativ evropian është përdorë prej viteve 90 dhe fillimit të viteve 2000 – vazhdimisht. Me këtë tregim janë fitu ose humbë zgjedhjet.
Vitet e fundit, është prodhu një tregim relativisht i ri dhe këto tregime janë tregime anti-evropiane, anti-perëndimore e qe besa edhe anti amerikane.
Duke qenë që ato tregime me gjasë, ndikojnë në ni shtresë shoqnore edhe ashtu të frustruar me ngadalshmërinë e proceseve integrative.
Pra ngadalshmëria që është prodhu nga ana e Brukselit edhe Perëndimit karshi Ballkanit, e ka prodhu ni frustracion të madh nëpër shoqëritë e Ballkanit, që kanë pritë se në vitin 2024 krejt na kemi me qenë pjesë e BE-së.
Qekjo ngadalshmëri, e ka prodhu një sentiment, atë sentiment diqysh duhesh me e futë në funksion. Bindja e partive politike, është që ai sentiment futet lehtë në funksion, nëse ti e prodhon një tregim ku ti thu: ta hajë dreqi me BE, me Uashington, e me NATO, na jemi Maqedoninë këtu, na jemi shtet sovran, çka po mendon Bullgaria, edhe tash me këso shprese, nxehet një popullatë që është në gjendje me ti dhanë ty 51%.
Por, a do të zbatohet kjo në praktikë? Përvojat e vendeve në Ballkan, tregojnë që fasadat nacionaliste, nuk domethënë se kanë me qenë edhe politikat e brendshme qeveritare.
Përvoja e Malit të Zi, tregon se fasada e ashpër gati anti perëndimore dhe pro serbe u konvertu, u transformu substancialisht kur erdhën në pushtet.
Si presidenti malazez edhe kryeministri actual, për cështje që janë ardhë në pushtet qysh është cnjohja e Kosovës, pikëpyetja ndaj NATO-së, raportet vëllazërore me Serbinë, të gjitha filluan me iu taku margjinave të diskutimit publik”./Nacionale/