Fantazma e Rugovës në Presidencë, si hajmali për pushtet
Presidenti, që siç duan disa në Kosovë ta quajnë edhe historik, Ibrahim Rugova ka 16 vjet që ka vdekur. Por ai ende jeton në Zyrën e Presidencës së Kosovës. Secili president që ka ardhur pas tij në zyrën presidenciale, është marrë me këtë Ibrahim Rugovën. Disa duke dëshiruar ta largojnë fantazamën e tij nga zyra e disa duke e thirrur fantazmën e tij për t’u rikthyer në zyrë. Por, të gjithë presidentët janë marrë me Rugoven, në një mënyrë a tjetër. Ama pse po përdoret fantazma e tij?
Mes shumë festave të muajit Maj, kosovarët të martën e 24 majit u befasuan kur rastësisht Presidentja Vjosa Osmani ua kujtoi se ekziston një festë të cilën e kishin harruar: Dita e Presidentit. Përmes dy postimeve në profilin e saj zyrtar, presidentja Vjosa Osmani e riktheu këtë festë që nuk është as festë zyrtare, me një përshkrim që duket sikur është ndonjë festë historike.
“Në Ditën e Presidentit nderuam arkitektin e shtetit të pavarur të Kosovës, nismëtarin e jetës demokratike e të angazhimit plural politik, presidentin historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovën. Në ditën e tij, të vendosur prej vetë atij, si shenjë përkujtimi e përjetësimi të zgjedhjeve të para demokratike në Republikën e shpallur të Kosovës, më 24 maj 1992, e nderuam presidentin Rugova për vizionin e tij, e rikujtuam madhështinë e veprës së tij dhe e ritheksuam peshën e tij në jetën tonë politike.Kjo ditë i kushtohet atij! Gëzuar, President!”, shkroi Osmani në Facebook.
Osmani, e cila zyrtarisht mori postin e Presidentes më 4 prill 2021, me të hyrë në zyrën presidenciale bëri një veprim simbolik. Ktheu në murin e zyrës së saj, fotografinë me stemën jozyrtare të Presidencës që ishte me flamurin dardan, edhe si propozim që Ibrahim Rugova e kishte për flamurin e shtetit të Kosovës. Veprime të tilla simbolike dhe normalisht tepër patetike, presidentja Osmani ka bërë gjithmonë në raport me figurën e Ibrahim Rugovës. Ajo përmend Rugovën ose e përdor atë sa herë që i nevojitet për të forcuar pozitën e saj politike. Në debatin e brendshëm politik, presidentja e përmend “rugovizmin” ose “frymën rugoviane”, teksa tenton të shpjegojë idenë e saj politike, në konferencat ndërkombëtare ajo e përmend Rugovën dhe afërsinë e saj me të, për të ngritur më lart pozicionin dhe rëndësinë e saj. Kur kthehet sërish në Kosovë, dhe kur Rugova nuk mund të përdoret më për të përshkruar veten ose arsyetuar politikën e saj, presidentja zgjedh ta përdorë Rugovën edhe simbolikisht.
Fantazma e Rugovës e ka ndjekur edhe paraardhësin e Osmanit në Presidencë, Hashim Thaçi. Dikur armik kryesor politik, pas vdekjes së Rugovës në vitin 2006, Hashim Thaçi nisi ta ndryshojë tërësisht narrativën e tij për të, përderisa në vitin 1999 ai e konsideronte Rugovën tradhëtar. Së pari në vitin 2009, kur Kosova i kishte bërë 1 vit si shtet i pavarur, e pastaj kur u bë president në vitin 2016 dhe hyri në zyrën e Presidencës së Kosovës, ai nisi ta ndryshojë edhe më shumë narrativën e tij. Tashmë Thaçi e përdorte Rugovën si një simbol të shtetit të Kosovës. Nuk e huqte asnjë datë që lidhej me Rugovën. E vizitonte te varri, ia uronte ditëlindjen, e dekoroi dhe e ftoj familjen e tij në ceremoni.
Faktin që ishte vetë Lidhja Demokratike e Kosovës, partia që e krijoi Ibrahim Rugova, ajo që ia mundësoi me votat e tyre që të bëhej president, dhe mbi të gjitha kur e kuptoi se Rugova nuk po harrohej aq lehtë, Thaçi e shikoi këtë si një mundësi që ta përvetësojë Rugovën dhe “gjuhën e tij politike”. Si president, Thaçi përmendte togfjalëshin e njohur të Rugovës “në miqësi të përhershme me SHBA-të, Zoti e bekoftë Kosovën dhe miqtë e saj”, në çdo fjalim ceremonial. Nejse, se harruam ta përmendim një detaj shumë të rëndësishëm: Thaçi në fillim të Presidencës, nuk e mori seriozisht, madje e largoi nga zyra dhe muret e saj llogon dhe flamurin e Rugovës, por më vonë ai nisi ta rikthejë nëpër postimet e tij, herë pas here, stemën e Dardanisë.
Pos Osmanit dhe Thaçit, fantazama e presidentit Rugova u end edhe shumë në zyret kur aty ishin presidentja Atifete Jahjaga dhe Fatmir Sejdiu, që ishte pasardhësi i parë i Rugovës. Jahjaga si një presidente pa përvojë politike përdorte Rugovën më së shumti në prezantimet e saj ndërkombëtare, ndërsa Fatmir Sejdiu, në fakt mund të llogaritet vetëm si vazhdimësi e Rugovës. Ai nuk mbahet mend për diçka të tijën.
Megjithatë, pyetja kryesore që duhet shtruar është: a na duhet fantazma e Rugovës në Presidencë? Apo kjo fantazmë do të endet aty, përderisa dikush të bëhet përnjëmend President ose Presidente e Republikës së Kosovës.