Exit Polli e nxjerr Edi Ramën fitues, vijon numërimi zyrtar: Gjithçka që po ndodh me zgjedhjet në Shqipëri
Shqipëria ka votuar, dhe qytetarët kanë hedhur votën e tyre duke zgjedhur pushtetin për katër vitet e ardhshme.
Numërimi në anën tjetër, zyrtarisht ka nisur në disa prej komunave, dhe rezultatet e para kanë arritur në faqen e KQZ-së.
Votat kanë qenë nga qarku i Korçës, dhe atje prin Partia Socialiste.
Megjithatë, numri i votave zyrtare të numëruara është krejt i vogël, dhe matësi kryesor është ai i Exit Pollit që e ka bërë Baton Haxhiu (Albanian Post) me Klan Kosovën.
Klan Kosova ka publikuar një Exit Poll të realizuar nga “Albanian Post”, i cili e vendosë të parën më 51.8 për qind Partinë Socialiste.
Mandatet e fituara si ne vijim:
51.8% apo 79 mandate, Partia Socialiste
38% apo 54 mandate, Partia Demokratike
1.80 apo 0 mandate, Shqipëria e Bashkuar
3.60% apo 2 mandate, Partia Mundësia
2.20% apo 3 mandate, PSD
1.20% apo 1 mandat, LB
1.40% apo 1 mandat, KE
Sipas të dhënave zyrtare, rreth 3.7 milionë shtetas kanë pasur të drejtë vote në këto zgjedhje, përfshirë rreth 246 mijë qytetarë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit. Gjithashtu, rreth 115 mijë persona do të votojnë për herë të parë.
Zgjedhjet e këtij viti sjellin edhe një ndryshim në mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, me një sistem të kombinuar listash të hapura dhe të mbyllura. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja në shkallë vendi ka qenë 42%.
Ndërkohë, mediat në Shqipëri kanë raportuar raste të parregullsive në disa qendra votimi. Në Tiranë dhe Elbasan, dy gra janë arrestuar pasi kanë fotografuar fletën e votimit, veprim që përbën shkelje të ligjit zgjedhor.
Tensione janë shënuar edhe në Vorë, ku sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, është përfshirë në një përplasje verbale me një votues, për të cilën ABC Neës ka publikuar pamje.
Presidenti Bajram Begaj, i shoqëruar nga zonja e parë, ushtroi të drejtën e votës dhe bëri thirrje për një proces të qetë e demokratik. Ai theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke përmendur përfshirjen e diasporës dhe negociatat e hapura me Bashkimin Evropian si faktorë që e bëjnë këtë proces të veçantë.
“Për mua mu duk një proces i qetë. Proceset zgjedhore janë të rëndësishme për qytetarët, vendi dhe demokracinë. Kjo ditë e sotmja ka një ditë të veçantë, pasi kemi hapur negociatat për BE, për herë të partë voton diaspora dhe duhet të plotësohen standarde. Kjo ditë e sotmja duhet të jetë një ditë e gëzueshme, ku qytetarët duhet të shprehin vullnetin e tyre të mirë dhe vullneti i tyre të dëgjohet”, tha ai.
Pas votimit, edhe kryeministri Edi Rama dha një deklaratë të shkurtër për mediat, duke theksuar se tashmë fjala i takon popullit. “E vetmja gjë që ka mbetur pa u thënë është fjala e popullit të presim cfarë do thotë populli”, tha Rama.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, vizitoi qendrat e votimit në Durrës për të ndjekur nga afër zhvillimin e procesit. Ai u shpreh se, ndonëse OSBE-ODIHR është e pranishme me ekipe të shumta vëzhgimi, BE kishte interes të drejtpërdrejtë për të parë vetë rrjedhën e zgjedhjeve në vendin që ka nisur negociatat për anëtarësim.
“Erdhëm edhe në Durrës se nuk donim te vëzhgonim procesin e zgjedhjeve vetëm në kryeqytet. Kjo është hera e pare e Shqipërisë qe organizohen zgjedhje qe pas çeljes se negociatave me Bashkimin Evropian. Jo se nuk kemi besim te OSBE -ODIHR, qe ka dhjetëra grupi inspektimi e vëzhgimi ne terren, se po bëjnë një pune shume te mire, por erdhëm vete për te pare nga afër se si po ecën procesi zgjedhor ne Durrës. Nuk mund te flas për procesin pasi do analizojmë me kujdes çdo gjë, jo vetëm procesin e votimit, por edhe para e pas këtij procesi”, u shpreh Gonzato.