Evropianët e mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në BE, por jo edhe atë të Serbisë - NACIONALE

Evropianët e mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në BE, por jo edhe atë të Serbisë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Shumica e qytetarëve në Gjermani, Francë, Itali dhe Spanjë, janë në favor të anëtarësimit të Ukrainës në BE, ndërsa shumica në ato vende kundërshtojnë rrugën e Serbisë në BE, tregon një studim i publikuar të martën.

Hulumtimi i ri, i kryer nga kompania e opinionit publik dhe e të dhënave YouGov, zbulon se në ato vende, më shumë qytetarë duan që Ukraina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut të anëtarësohen në BE, mirëpo të njëjtin mendim nuk e kanë edhe për Serbinë, shkruan Euractiv.

Për Ukrainën, përqindja e njerëzve në favor të anëtarësimit është 22 pikë përqindjeje më e lartë se e atyre kundër. Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, përqindja e atyre që janë pro është tetë dhe pesë pikë përqindjeje më e lartë se e atyre kundër.

Për Serbinë, përqindja e atyre kundër anëtarësimit të Serbisë është mesatarisht 4.75 pikë përqindjeje më e lartë se përqindja e atyre që janë pro.

Nga katër vendet, vetëm Spanja tregon më shumë vullnet që Serbia të anëtarësohet në BE. Rruga e mundshme e anëtarësimit të Serbisë në BE mbështetet nga 23% e të anketuarve në Francë, 27% në Gjermani, 33% në Itali dhe 41% në Spanjë.

Megjithatë, 42% e të anketuarve në Francë, 41% në Gjermani, 37% në Itali dhe 23% në Spanjë, besojnë se Serbia nuk duhet të lejohet të anëtarësohet në BE.

Sondazhi, i publikuar në mars, bazohet në një mostër prej 1,020 deri në 2,046 të rritur nga secili vend.

Lajme të ngjashme