'Eskalimi' seksist i Rron Gjinovcit: Apologjia e turpit që i bëri vetes dhe heshtja e VV-së
Rron Gjinovci vazhdoi me sulme ad hominem. Asgjë e re! Por, ai kësaj here – në mënyrë që ta mbronte liderin Albin Kurti – i mëshoi një gruaje shumë të respektua, gjë që me të drejtë nxiti reagim të madh publik. Cila ishte mbrojtja që i bëri vetes dhe pse ajo është tmerruese?
Kishin kaluar 52 minuta pas mesnate kur Rron Gjinovci do ta bënte komentin e turpshëm. Ai do të shkruante “Çfarë frizure” me dy emoji, njëri duke qeshur me lotë dhe tjetri duke kapur fytyrën me duar.

Në lajm ndodhej Kusari e cila po thoshte që përgjegjësia kryesore për sigurinë e gazetarëve që po sulmoheshin në veri binte te shteti. Kaq.
Apologjia
Pas reagimeve të ashpra që e dënonin gjuhën e tij seksiste, Gjinovci e shkroi një mbrojtje me 380 fjalë të titulluar “Unë, seksizmi dhe liria”.
Sipas z. Gjinovci, ai nuk kishte bërë fyerje seksiste meqë në të kaluarën kishte komentuar edhe pamjen e burrave politikanë.
“Pse gratë e pushtetshme paskan imunitet? Kush ua dha? Kur?” – shfryn ai.
Më pas, ai kërkon t’i japë vetes një të drejtë shtesë: të komentojë dukjen e njerëzve vazhdimisht.
“Dhe ndonjëherë edhe ata që dalin me kravata t’kqija, me kostume t’kqija e me kpuca me lloq (e ka fjalën për lloç) në takime serioze shtetnore, sikurse edhe atyne me frizura e me fustana pa lidhje, do t’ju japim vrejtje estetike.”
Kush është Rron Gjinovci? Dizajner mode? Sallon ondulimi? Instancë me licencë speciale për të dhënë vërejtje estetike publikisht mbi paraqitjet e njerëzve? Si duken njerëzit e varfër që dalin nëpër televizione? A duhet të përqeshen për ato që veshin? Mos ishte i gjithë angazhimi i tij publik një farsë?
Seksizëm, asgjë tjetër
Pavarësisht se sa problematike është të japësh ‘vërejtje estetike’ për paraqitjet publike të njerëzve, fjalët e tij ishin fund e krye seksiste.
Një gjë të tillë ia thotë edhe Gresa Hasa, një aktiviste që dikur protestonte me Gjinovcin.
Goditja e saj ndaj Gjinovcit është e drejtë dhe e rëndë. Meqë Rron Gjinovci provon të tregojë se ka qenë në protesta feministe në mënyrë që të mos i ngjitet etiketa e seksistit, ajo i thotë këto fjalë:
“Ndër të tjera, pjesëmarrja në protesta feministe, të qëndruarit në solidaritet me gratë dhe ngritja e zërit së bashku me to kundër ngacmuesve seksualë është DETYRË shoqërore dhe morale. Ajo nuk është sakrificë dhe as meritë e veçantë.”
Në një koment tjetër, ajo shkruan edhe këto fjalë:
“Komentet seksiste e gjuha bullizuese, veçanërisht kur vijnë nga aktivistët shkaktojnë dëm të shumëfishtë. Poshtërimi i grave nuk është “shaka” dhe as “keqkuptim”. Poshtërimi i grave është mizogjini e pastër.”
Shumë aktiviste për të drejta të grave kanë denoncuar gjuhën e përdorur nga Gjinovci. Megjithatë, deri tash nuk ka pasur ndonjë reagim denoncues nga ana e deputeteve të VV-së që kanë shtruar në të kaluarën këto çështje si Tinka Kurti, Fitore Pacolli, Saranda Bogujevci etj.
Ku na çon kjo?
Një gjë e tillë, padyshim se përbën rrezik të madh për sferën publike dhe shkon shumë përtej Rron Gjinovcit dhe Flutura Kusarit.
Legjitimimi i 'vërejtjeve estetike' do t'i lironte rrugë linçimeve e dehumanizimeve me premisa fashiste të shumë figurave publike, bazuar në mënyrën se si duken. Dhe më e rëndësishmja, i liron rrugën sidomos sulmeve seksiste bazuar mbi dukjen e tyre të grave që marrin pjesë në debatin publik.