Escobar sot në Prishtinë, takohet me presidenten Vjosa Osmani
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, Gabriel Escobar, sot do të qëndrojë në Prishtinë.
Ai pritet të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas takimit pritet të mbahet edhe një konferencë për media.
Kështu kanë njoftuar nga kabineti i presidentes.
Vizita në Kosovë vjen pas një konference në ditën e djeshme me gazetarë, ku Escobar dha mesazhe të qarta se nuk po gjejnë komunikim me qeverinë e Kosovës.
“Goxha sinqerisht, pjesë e arsyes që ambasadori Hovenier u desh të dalë e të nënvizojë se është bërë e vështirë për ShBA-në të jetë avokat në arenën ndërkombëtare është shkas se rruga për në BE dhe NATO shkon përmes pesë mosnjohësve në BE dhe katër në NATO. Të gjitha këto vende, para se të ecin përpara, do të dëshironin të shihnin lëvizje për të gjitha çështjet që përfshihen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Emisari amerikan ishte kristal i qartë se ndihet “tejet i shqetësuar” me mos dëgjimin e ofertës së ShBA-së nga ana e qeverisë së Kosovës.
"Duke injoruar dialogun, Kosova po injoron partnerët e saj evropianë, kështu që është e pamundur që ne t'i bindim ata që të ecin përpara në integrimin e mëtejshëm të Kosovës. Pra, po, jam tejet i shqetësuar që Kosova nuk po e dëgjon ofertën amerikane për partneritet për ta çuar më tej dhe më shpejt integrimin e Kosovës.” – tha Escobar.
Mbetet të shihet se cilat mund të jenë mesazhet e Escobar gjatë konferencës me presidenten Osmani.