Escobar: Kriza në Ukrainë nuk do ta destabilizojë rajonin
Edhe pse shumë vende të Ballkanit Perëndimor janë të cenueshme, mendoj se vëmendja që BE dhe SHBA kanë përqendruar në këtë rajon do ta ndihmojë dhe do ta izolojë atë nga të gjithë faktorët destabilizues, ka thënë Gabriel Escobar në një intervistë për N1.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i SHBA-së që mbikëqyr politikën ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, shtoi se të gjitha vendet që i janë bashkuar Bashkimit Evropian janë bërë më demokratike, më të qëndrueshme dhe më prosperuse dhe se kjo është ajo që ai dëshiron të ndodhë me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë.
Në pyetjen se a duhet politika në Serbi të jetë më e vendosur, në kuptimin se a duan të orientohen nga Lindja apo Perëndimit, Escobar thotë:
“Epo, kjo është një pyetje për popullin serb, por mund t'ju them se anëtarësimi në BE është një qëllim strategjik i Serbisë. Në shumë mënyra, ajo po bën përparim në atë drejtim. Këtë vit kanë hapur kapituj të rinj negociues, kanë bërë progres. Duhet të them se Serbia është një vend evropian, historikisht, kulturalisht dhe gjithnjë e më shumë ekonomikisht. Mendoj se populli serb e kupton këtë dhe do ta presë këtë. Prandaj, vërtet mendoj se Serbia është gjithnjë e më e interesuar për marrëdhënie me Evropën sesa me Lindjen.”
Escobar shton se integrimi evropian është gjëja e duhur pët Ballkanin Perendimor.
“Të gjitha vendet që iu bashkuan BE-së janë bërë më demokratike, më të qëndrueshme dhe prosperuese, pothuajse pa asnjë kosto për të tjerët. Kjo është pikërisht ajo që ne duam për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Serbinë. Shpresoj që të gjitha këto vende të kenë një rrugë të qartë drejt Evropës, një derë të hapur dhe se do të mund ta përfundojnë procesin e tyre brenda një afati të arsyeshëm. Afati varet nga marrëdhënia e tyre me BE-në, por ne i inkurajojmë ata të bëjnë përparim dhe gjithashtu inkurajojmë partnerët tanë evropianë që të japin një sinjal të qartë se sa të mirëpritura janë ato vende”, shton Escobar.
Escobar mendon se agresioni rus në Ukrainë që solli luftën në kontinentin evropian, nuk do të ndikojë në ndonjë eskalim të gjendjes që e bënë rajonin të paqëndrueshëm.
“Arsyeja është pjesërisht si vijon: vendet e rajonit janë zotuar të mos lejojnë që kjo të ndodhë. Dhe këtë e premtuan të gjitha vendet, përfshirë Serbinë, Bosnjën dhe Hercegovinën. Në Ballkanin Perëndimor, ne në fakt jemi të përqendruarr në zgjidhjen e problemeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe pse shumë vende janë të cenueshme, mendoj se vëmendja që BE dhe SHBA kanë përqendruar në rajon, do të ndihmojë në izolimin e tij nga të gjithë faktorët destabilizues. Duke pasur parasysh këtë gjë, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë zotuar të mbështesin përpjekjet humanitare. Dhe ata me të vërtetë janë duke e bërë këtë. Dhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, të gjithë dhanë votën e tyre për të dënuar pushtimin. Prandaj, mendoj se ky rajon do të japë një kontribut pozitiv në stabilizimin e krizës”, përfundon Escobar.