Escobar: Duhej të insistonim më shumë në zbatimin e Asociacionit
Gabriel Escobar, ish i dërguar i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka dhënë një intervistë për Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik. Në ditën e fundit të tij në këtë funksion, Escobar vlerësoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i përfaqësoi për një kohë të gjatë, do të duhej të insistonin më shumë në zbatimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Çka tha Escobari?
Në këtë intervistë, Escobar vlerësoi se zbatimi i Asociacionit është absolutisht vendimtar për Kosovën.
“Ne do të duhej të insistonim më shumë në zbatimin e Asociacionit sesa në ndërmjetësimin që dy palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste ne kemi vërejtur mungesën e vullnetit në të dy palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është absolutisht vendimtar për Kosovën. Është më i vështiri prandaj si më i vështiri, ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal se ka vullnet të adresojë çështjen e minoritetit serb në territorin e saj” – ka deklaruar Escobar në një intervistë për Qendrën për Evropë të Këshillit Atlantik.
📆 Tomorrow | 🕑 2:00 p.m. ET
— Atlantic Council Europe Center (@ACEurope) May 16, 2024
"We should have insisted more on the implementation of the ASM because we noticed the lack of the good will on the both parties," reflects DAS Escobar in #BalkansDebrief with @ilvatare on his last day of his term. pic.twitter.com/GQ3A8nSSEn
Diplomati amerikan e ka lidhur zbatimin e Asociacionit me lobimin e ShBA-së për njohje të reja. Sipas tij, pa zbatimin e Asociacionit, ShBA-ja nuk kishte material për të punuar në lidhje me njohjet e reja për shtetësinë e Kosovës, e cila ka një kohë të gjatë që nuk ka pranuar njohje.
“Nga perspektiva amerikane, pasi që rruga evropiane përfshinte pjesë të rëndësishme të Asociacionit në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar një propozim evropian, përmes një procesi evropian që është dialogu dhe një marrëveshje që garantohet nga Bashkimi Evropian, do t’u jepte amerikanëve një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane për të thënë se Kosova ka bërë çfarëdo që Evropa ka kërkuar dhe për të kërkuar njohje të reja. Pa këtë, të themi që ne nuk kishim shumë material për të punuar për këtë” – ka shtuar Escobar.
Sjellim ndër mend që Escobar është larguar nga funksioni i përfaqësuesit të posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, para se të largohej, ai kishte dhënë një prononcim për disa akuza që ishin ngritur nga një person me emrin Vudi Xhymshiti, të cilin Escobar e kishte quajtur “gazetar i pretenduar”.
“Kam edhe një gjë, përpara se të largohem. Dua t’i adresohem një gjëje për të cilën kemi pasur shumë pyetje, dhe dezinformata që janë prodhuar nga një gazetar i pretenduar, i cili ka thënë që në po pushohem nga puna për lidhje të dyshimta me qeverinë serbe. Çdo gjë në atë raportim është një gënjeshtër, gënjeshtra që mund të verifikohen, fillimisht, unë nuk po pushohem nga puna, e dyta, gruaja ime nuk ka marrë asnjë para nga asnjë qeveri e huaj, gruaja ime në çdo ambasadë ku kemi punuar, ka punuar pa ndonjë para apo kontratë, do të vazhdojë të punojë këtë.” – u shpreh ai.
Në fjalën e tij, Escobar kishte akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Qeverinë e Kosovës, duke theksuar se lajmi për ikjen e tij nga posti, u publikua vetëm pas komunikimit me Qeverinë e Kosovës në lidhje me këtë çështje.
“Po ashtu, pretendimi se informacionet kanë ardhur nga burime brenda Kongresit është i rremë, sepse kongresi nuk ka qenë i njoftuar për ndryshime në personel, raportimi erhdi pasi unë fola me të gjitha qeveritë në rajon për të folur për tranzicionin, dhe ky raportim ka ardhur pak pasi fola me Qeverinë në Kosovë. Pra është një dezinformatë…” – kishte thënë Escobar.