Erdogani thotë se të mbijetuarit e tërmetit do të strehohen në hotelet e Antalias
Presidenti turk, Rexhep Erdogan, tha se disa hotele në Antalia do të shërbejnë si strehë për të mbijetuarit e tërmetit.
“Duke filluar nga vendet afër zonës së fatkeqësisë, të gjitha planet e nevojshme po bëhen për t’i vënë hotelet që tashmë i kanë pezulluar aktivitetet e tyre për shkak të periudhës dimërore për t’u shërbyer viktimave të fatkeqësisë. Vetëm në rajonin e Antalias, 50 mijë shtretër janë përgatitur për këtë qëllim”- tha presidenti turk.
Ai njoftoi se numri i të vdekurve nga tërmeti në Turqi ka shkuar në 3.549, ndërsa numri i të lënduarve në 22 mijë e 168 persona.
Sipas Erdoganit, rreth tetë mijë persona janë shpëtuar deri më tani nga rrënojat. Presidenti dha edhe hollësi të tjera:
Personat e lënduar, që janë trajtuar pas pësimit të lëndimeve, janë dërguar në spitale në pjesë të tjera të vendit, sidomos në Mersin, Stamboll dhe Ankara.
Deri më tani, 54 mijë tenda dhe 102 mijë shtretër janë dërguar në rajone, ndërsa 53 mijë e 317 punëtorë të kërkim-shpëtimit janë duke punuar në zonën e goditur nga tërmeti.
Terminale për transmisione satelitore janë dërguar në rajon për t’u siguruar që të mos ketë pengesa në komunikim.