Era kur po vjen, o Shtet?
Shkruan: Anonimi (Emër i njohur për redaksinë e Nacionales)
Rotori i turbinës më të madhe të instaluar, mbulon një sipërfaqe prej 39,000 metrave katrorë. Kjo është e barabartë me gjashtë fusha futbolli. Të gjithë dimë se si ta bëjmë këtë llogaritje. Më e ndërlikuar është kjo pyetje: sa është maksimumi i energjisë kinetike të erës që kjo turbinë mund ta kapë dhe ta shndërrojë në energji elektrike? Për të zgjidhur këtë, duhet të keni njohuri të mira në dinamikë, përkatësisht të jeni inxhinier i mirë, dhe të keni nja disa ditë në dispozicion. Albin Kurti është inxhinier – disa thonë se është edhe inxhinieri i zoti. Në kabinetin e tij bën pjesë edhe Dr. Artane Rizvanolli, e cila vazhdimisht përpiqet të sigurojë energji të mjaftueshme, me aq sa ka njohuri dhe përvojë, por edhe aq sa i jep hapësirë ministri i Mjedisit, Liburn Aliu.
Këta, së bashku me “gjeniun” Dr. Besnik Bislimin, besoj se këtë detyrë teorike e zgjidhin për tri ditë. Tri ditë kohë për të humbur – kohë që nuk e kanë. Nga frika se ata prapë mblidhen dhe humbasin kohë për të zgjidhur këtë detyrë, në fund të artikullit e rrëfej rezultatin.
Me sfida të tilla teorike përballen institucione të ndryshme shkencore, kurse me sfida praktike në lidhje me energjinë e renovueshme përballet një industri e tërë. Një industri që 20 vjet më parë thuajse nuk ekzistonte, sot është shpresa e njerëzimit kundër ngrohjes globale. Në këtë industri peshon edhe pavarësia e Evropës nga gazi rus.
Meka e kësaj industrie ishte në Bilbao të Spanjës. Nga data 05 - 07 prill, atje ishin të pranishëm projektues gjigantë si Equinor nga Norvegjia, Ørsted nga Danimarka, Iberdrola nga Spanja ose RWE nga Gjermania. Shumë prodhues të njohur të turbinave, si Enercon, Vestas, GE ose Siemens Gamesa, e shumë të tjerë ishin prezentë. Kishte qindra prodhues të pjesëve të ndryshme të nevojshme për të ndërtuar turbina, që ofronin produktet dhe shërbimet e tyre si ABB, Hitachi, Schneier Electric ose Flender. Kësaj të fundit i kthehemi më vonë.
Të pranishëm ishin edhe politikanë nga e gjithë bota. Ata ishin të interesuar kryesisht për dy gjëra. Për rritjen e çmimeve, por veçanërisht për problemet e furnizimit, si pasojë e çrregullimit të zinxhirëve furnizues të shkaktuar nga COVID-19 dhe lufta në Ukrainë. Vetëkuptohet se ky interesim nuk ishte nga mirësjellja, aq më pak kishte një prapavijë humanitare. Motivi për interesimin, ishte promovimi i vendeve të tyre për investime direkte nga pjesëmarrësit e panairit.
Me rritjen e çmimeve në Azi, dhe veçanërisht me shtrenjtimin e transportit, shumë nga kompanitë e sipërpërmendura kanë filluar të planifikojnë rikthimin e prodhimin nga Azia në Evropë. Duke qenë se kjo industri është nën presion të vazhdueshëm për të ulur kostot, caqet kryesore të investimeve të tyre janë vendet me kosto të ulët, vende si p.sh. Kosova. Kuptohet vetëm nëse kushtet e investimit janë të favorshme, janë të mbrojtura me legjislacion, si dhe shumë çështje të tjera praktike që kanë të bëjnë me vendimin e kompanive për investime kapitale. Askush nga Kosova nuk ishte i pranishëm në Bilboa për ta promovuar Kosovën dhe për t’u përgjigjur pyetjeve të investitorëve potencialë rreth mundësive që ofron Kosova. Shtrohet pyetja - pse? Me çfarë ishte e zënë ministria e Rizvanollit që nuk ishte me një delegacion të tërë në Wind Europe në Bilbao?
Ajo që dimë është se në fillim të kësaj jave ajo mori pjesë në një forum jashtëzakonisht teorik, politik dhe abstrakt në Berlin - dialogu mbi tranzicionin energjetik. Në këtë forum të pranishmit shqetësimin kryesor e kanë si të duken sa më të zgjuar dhe si të formulojnë në mënyrë sa më të mprehtë definicione rreth dialogëve, tranzicioneve, e gjëra të tjera abstrakte. Në forume të tilla, gjëra praktike si ngritja e fabrikave të transformatorëve apo gjeneratorëve, nuk janë në agjendë.
Le të kthehemi prapë te Flender. Flender është një kompani gjermane me rreth 8500 të punësuar, me qarkullim vjetor prej rreth 2 miliardë eurosh dhe me prezencë në të gjitha kontinentet. Vlen të theksohet se kjo kompani është një nga ato kompani gjermane që kanë investuar shumë në Serbi. Flender ka rreth 1500 punonjës në Serbi, që zhvillojnë dhe prodhojnë gjeneratorë dhe komponentë të tjerë për prodhimin e turbinave te erës. Vetëm kjo kompani eksporton nga Serbia, teknologji të lartë, me vlerë prej më shumë se 300 milionë euro në vit, që është përafërsisht sa vlera e importit vjetor të Kosovës nga Serbia për vitin 2021.
Çfarë ka bërë qeveria për të bindur Flender apo kompani të tjera të investojnë në Kosovë? Në një kohë kur e gjithë bota e sheh fytyrën e vërtetë të Serbisë, dhe kur Viola von Cramon u bëri thirrje kompanive gjermane që të mos investojnë më në Serbi, Rizvanolli publikoi një postim në Twitter, ku thuhej se “rastësisht njoh një vend demokratik e me rritje të shpejtë ekonomike, me qeveri të pakorruptuar që mirëpret kompanitë gjermane”. Ky postim mund të jetë i mjaftueshëm për të filluar, por kjo ka ndodhur një muaj më parë dhe që nga ajo ditë, nuk ka pasur asnjë aktivitet të dukshëm në këtë drejtim.
Duhet cekur se Dr. Artane Rizvanolli ka doktoruar në lidhje me investimet e huaja direkte ne Universitetin e Sheffield në Angli. Kjo nënkupton se, ajo duhet të ketë njohuri të mjaftueshme teorike, zbatimi praktik i së cilave çalon në tërësi.
Nga ana tjetër, nëse marrim parasysh prononcimet e Dr. Besnik Bislimit duke thënë se “Kosova nuk ka krizë ekonomike”, është shumë e kuptueshme pse ministres nuk i bëhet vonë.
Po Kryeministri, ku ishte? Albin Kurti në fillim të javës i dha leksion NATO-s dhe botës perëndimore mbi strategjinë që duhet ndjekur për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, me një vetëbesim që edhe Wesley Clark e ka zili.
Votuesi shumë shpejt do ta kuptojë se nga teoria, barku nuk mbushet.
Rotori i një turbine mund të kapë maksimalisht 59.26% të energjisë kinetike të erës (ligji i Betzit). Në realitet, teknologjia më e avancuar që përdorim sot, kap rreth 80% të saj, pra një total 47%.