Robelli i ashpër me Kurtin për "industrinë ushtarake": Dështimet s'mund të mbulohen me lajme pompoze
Publicisti dhe gazetari, Enver Robelli, ka bërë një kritikë të ashpër ndaj qeverisë Kurti, duke renditur një sërë dështimesh. Robelli akuzoi ekzekutivin për mungesën e rezultateve konkrete në fusha kyçe si infrastruktura, arsimi, shëndetësia, politika e jashtme dhe zhvillimi ekonomik.
Argumenti kryesor i Robellit është se paaftësia e qeverisë për të përkthyer premtimet e mëdha në rezultate konkrete reflekton mungesë të udhëheqjes efektive, me përgjegjësinë që, sipas tij, bie mbi kryeministrin Albin Kurti.
Ai kritikoi veçanërisht njoftimin e fundit të Kurtit për themelin e një "industrie ushtarake", duke e cilësuar si thjesht një lajm pompoz. Sipas Robellit, vendimi vetëm krijon një komision ndërministror për të vlerësuar procedurat dhe negociatat – larg nga hapi transformues që është paraqitur.
Duke bërë një krahasim me premtime të tjera të pambajtura në të kaluarën, Robelli përmendi projektin për qendrën e skijimit në Brezovicë, i cili dikur u trumbetua si "qendra më e madhe e skijimit në Europën Juglindore", por ende nuk është realizuar.
Opinioni i plotë i Robellit:
Kjo qeveri e Kosovës nuk ka rezultate të prekshme në disa fusha: infrastrukturë, arsim, shëndetësi, politikë të jashtme dhe zhvillim ekonomik që rrit mirëqenien e qytetarëve. Përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi shefin e qeverisë. Dështimet tani - në prag të zgjedhjeve - nuk mund të mbulohen me lajme pompoze se po hidhen themelet e “industrisë ushtarake”. Në të vërtetë ishte vendosur të krijohet një komision ndërministror për vlerësimin e procedurave, negociatave… I ngjan atij premtimit të para disa viteve kur Brezovica do të bëhej qendra më e madhe e skijimit në Europën Juglindore.
Para se të bëhen hapa të tillë kinse kolosalë në “industrinë ushtarake”, do të ishte mirë të ndërtohej ajo ura e famshme te liqeni i Badovcit. Ky është një nga 1001 shembujt ku mes premtimit dhe realizimit qëndron i hapur një hendek i madh. Dhe hendeku nuk mbyllet nëse shefi i qeverisë nuk i sheh të metat dhe nuk i tërheq konsekuencat. Një nga këto konsekuenca do të ishte menaxhimi i ekipit qeverisës dhe rifreskimi i tij. Kjo është dashur të ndodhë qëmoti. Në politikë (sidomos), kryeneçësia që shitet si parimësi është ves, jo virtyt.