Entuziazëm në taborin e PDK-së dhe LDK-së: Hamza e “dridh” Drenicën, Abdixhiku Llapin
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë intensifikuar aktivitetet paraelektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit. Në tubimet e fundit të Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut në bastionet e këtyre partive është parë një pjesëmarrje masive e përkrahësve të tyre.
Pjesëmarrja e madhe e qytetarëve në tubimin e Hamzës në Drenicë dhe të Abdixhikut në Llap ka entuzjazmuar zyrtarët e dy partive opozitare.
Ata kanë vlerësuar se në këto tubime është parë entuziazmi i qytetarëve për ndryshim.
Pas tubimit në Skenderaj, kandidati i PDK-së, Bedri Hamza, ka vlerësuar se ka ndier entuziazmin, shpresën dhe besimin se Kosova mundet ma mirë.
“Në zemrën e Skenderajt, në palestrën që mban emrin e heroit Ilaz Kodra, ndjeva pulsin e shtetit tonë. Ndjeva entuziazmin, shpresën dhe besimin e pathyeshëm se Kosova mundet ma mirë. Energjia e secilit është frymëzuese dhe kurrë nuk do të dorëzohemi në përpjekjen për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët dhe vendin tonë. Duke ndjerë trashëgiminë e liderëve tanë që hapën rrugën për liri, pavarësi dhe shtetndërtim, ne do të udhëheqim me dinjitet, vizion dhe krenari për ta zhvilluar Kosovën”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në “Facebook”.
Këtë tubin e ka komentuar shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se me këtë tubim ka nisur shpresa për ta bërë Kosovën më mirë.
“Kurdo që Kosova ka pasur nevojë për shpresë se mund të bëhet më mirë, ajo shpresë ka nisur nga Skenderaj. Sonte, asgjë më pak, veçse shpresë për Kosovën dhe vullnet i shprehur qartë për ta bërë atë më mire, me Bedri Hamzën kryeministër”, ka shkruar Tahiri.
Në të njëjtën ditë, edhe LDK-ja ka mbajtur një tubim masiv në Podujevë.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, është shprehur i impresionuar nga pjesëmarrja e njerëzve në këtë tubim.
Në profilin e tij në “Facebook”, i pari i LDK-së ka shkruar se Podujeva është zemra e kësaj partie.
“Emocion i papërshkrueshëm në Podujevën fisnike, në vet zemrën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku Turneu i Ndryshimit e vazhdoi rrugëtimin drejt ëndrrës së madhe për Kosovën që na bashkon! Faleminderit doktorit, Ekrem Hyseni, kryetarit të degës tonë atje dhe secilit prej jush për gjithë këtë entuziazëm e motivim që na dhanë sonte në Llap. Prapa dorështrëngimeve të shumta, buzëqeshjeve plot shpresë, dhe thirrjeve tuaja të njëzëshme shkëlqen dëshira e zjarrtë për ndryshimin e madh që do ta sjellim bashkë. Sepse Podujeva nuk e pret ndryshimin të vijë - ajo don ta udhëheqë atë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka bërë me dije se këto tubime po tregojnë se tani është momentumi i LDK-së.
“Nga Prishtina në Viti, nga Peja në Shtime, e sonte këtu në Podujevë - momentumi i Lidhjes është i pamohueshëm! Është i padiskutueshëm! Sepse këtu ne po qëndrojmë si një, të bashkuar rreth një vizioni unik: atij për Kosovën ku familjet kanë mirëqenie, ku rinia i realizon ëndrrat dhe potencialin e plotë, dhe ku secili komunitet jeton me krenari. Sepse ky turne nuk përbëhet vetëm nga tubime të zakonshme politike - por është tashmë një lëvizje në rritje! Një Lidhje plot shpresë, krenari dhe vendosmëri, e ngjizur nga ëndrrat dhe idealet e qytetarëve tanë të mrekullueshëm që duan dhe meritojnë ndryshim!”, ka shkruar ai, duke ftuar qytetarët që më 9 shkurt të bëhen ndryshimi.
“Podujevë, energjia juaj është zemra e Lidhjes sonë. Bashkë me ju, ne do ta sjellim ndryshimin e madh sepse të ardhmen nuk po e imagjinojmë më - atë po e ndërtojmë në ditë si kjo! Me 9 shkurt, le të bashkohemi edhe një herë si kurrë më parë për Kosovën që duam. Me 9 shkurt - BËHU NDRYSHIMI!”, ka shkruar Abdixhiku.