Ende çdo 6 muaj UNMIK: ShBA i quajti diskutime ‘për shfaqje’, Gërvalla shkon ‘të përfaqësojë’ Kosovën - NACIONALE

Ende çdo 6 muaj UNMIK: ShBA i quajti diskutime ‘për shfaqje’, Gërvalla shkon ‘të përfaqësojë’ Kosovën

3 javë më parë

nga Xhezair Dashi

  • Diskutime për shfaqje.

Ky ishte cilësimi që Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Robert A. Wood, i bëri takimit të fundit (8 prill 2025, dhe edhe më të përparme) ballafaques mes Kosovës dhe Serbisë, ku shpalohen ende raporte të UNMIK-ut dhe Kosova mbetet objekt trajtimi me Rezolutë 12/44.

Ndonëse kaherë Kosovës i është kërkuar të reduktojë nivelin e pjesëmarrjes në këto mbledhi UNMIK-u, përkatësisht në nivel të një ambasadori, qeveria kosovare vazhdon ta shfrytëzojë atë për publicitet përballjeje me Serbinë, anipse vetëm kësaj të fundit i intereson që UNMIK-u, dhe Rezoluta 12/44, të jenë të spikatura.

Njëjtë edhe kësihovi. Donika Gërvala në cilësi të “Ministres së Jashtme” anipse kundërligjshëm sipas vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, shkon “të përfaqësojë” Kosovën në këtë raport gjashtë mujorësh të UNMIK-ut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca (Tre nga Pesë Anëtarët e Përhershëm të KS OKB-së, me të drejt vetoje) kërkojnë që këto seanca të përfundojnë, të terminohet mandati i UNMIK-ut, por, edhe, tekefundit, këto seanca të bëhen së paku 1-vjetore dhe të mbahen të mbyllura nga publiku.

Por, Serbia, me përkrahjen e Rusisë dhe Kinës, arrijnë ta mbajnë ende të gjallë këtë.

Ministria e Punëve të Jashtme e lajmëroi në komunikatë për media se Gërvalla shkon në seancën e Këshillit të Sigurimit, duke mos e përmendur se puna fund-e-krye është UNMIK.

  • Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka udhëtuar për në Nju Jork për të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të mbahet sot, më 21 tetor 2025, në orën 10:00 sipas kohës lokale në Nju Jork (16:00 në Kosovë). Në këtë seancë do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, për zhvillimet në Kosovë”, u tha nga MPJ.

Në këto seanca kryesisht zhvillohen ballafaqime publiciteti në dy anët: pushteti kosovar e përdor për bazën e vet elektorale si ballafaqim të rreptë me Serbinë, ndërsa këta të fundët si viktimizim propagandistik të brendshëm, por edhe si “triumf” që po e mbajnë Rezolutën 12/44 gjallë.

Qortimi i madh amerikan

“UNMIK-u duhet të shuhet”, pati thënë Përfaqësusesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Robert A. Wood, në seancën fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku u dha raporti gjashtë-muajsh i UNMIK-ut.

Veç kësaj, ambasadori i ShBA-së në OKB pat kritikuar raportin e UNMIK-ut, duke e lënë të kuptohet si të anshëm dhe që si i tillë nuk reflekton realitetin në terren.

“Pas një çerek shekulli UNMIK e ka skaduar misionin e saj, dhe SHBA bën thirrje që Këshilli i Sigurimit të rishqyrtojë çështjen e UNMIK-ut dhe të punojë për ta shuar atë. Ka kërkesa më të mëdha në Këshill të Sigurimit, dhe këto brifingje duhet të bëhen vjetore dhe private. Ne i bëjmë thirrje UNMIK-ut që në raportimet e ardhshme të mbajë vështrim neutral që të reflektojë më mirë në paanësi”, tha Wood.

ShBA është e prerë se "koha për të zvogëluar numrin e misioneve të OKB-së ka ardhur", duke kërkuar që UNMIK-u t'i transferojë funksionet e tij agjencive të tjera të OKB-së në botë. Uashingtoni e jep si përkushtim të vet për të çrrënjosur shpenzimet e panevojshme në organizatat ndërkombëtare.

"UNMIK është një mision paqeruajtës pa paqeruajtës, me 81 përqind të buxhetit të tij që shkon për pagat e stafit", theksonte ai. "Takimet e ardhshme mbi OKB-në duhet të mbahen në një format të mbyllur për të nxitur një diskutim më të sinqertë dhe më pak për shfaqje".

Këto takime informuese duhet të reduktohen më tej në takime vjetore, shtonte përfaqësuesi i ShBA-së

Po ashtu edhe Përfaqësuesi i Mbretërisë e Bashkuar ka kërkuar “që Këshilli të rishikojë rolin dhe përgjegjësitë e UNMIK-ut për të siguruar që ai të mund të vazhdojë të mbështesë në mënyrë efektive sigurinë, stabilitetin dhe të drejtat e njeriut në Kosovë në një mënyrë që pasqyron botën e vitit 2025”.

Lajme të ngjashme