Ekzistojnë inçizimet: Çfarë presioni ishte bërë ndaj KOSTT-it në mbledhjen e mbyllur
Në korrespodencat e publikuara ekskluzivisht në Nacionale, në mes të Dejona Mihalit dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka një episod interesant: Hallakama në KOSTT. Dy ditët e jashtëzakonshme të 26 dhe 27 gushtit të vitit 2021 dhe një mbledhje Komisionit për Ekonomi, Tregti, Industri dhe Ndërmarrësi – ku kishte raportuar KOSTT, ishte mbyllur për media. Por, ekzistojnë inçizimet…
Në 26 korrikun e vitit 2021, Dejona Mihalit i kishte shkuar një mesazh nga Genc Konushevci ku i kërkohej aranzhimi i një takimi urgjent për Sekretarin e atëhershëm të KOSTT-it, Ngadhënjim Jakupi dhe kryeministrit Albin Kurti.
Përshkrimi i një kërkesës urgjente për këtë takim, nga mesazhet e Genc Konushevcit, ishin si: ‘arsye urgjente’, “diçka po ndodhë aty”.
Kur Dejona Mihali njofton Nagip Krasniqin për mesazhin e Genc Konushevcit, i kërkon Nagip Krasniqit që ta takojë vetë ai Sekretarin e asaj kohe të KOSTT-it, z.Ngadhënjim Jakupi. Fillimisht, bazuar në mesazhe, Mihali nuk e njeh Ngadhënjim Jakupin, por i njeh të tjerët në KOSTT sepse i rekomandon Nagip Krasniqit që të ketë kujdes në rast se do ta takonte.
“Vetëm ki parasysh që të jesh diskret kur ta takosh sepse ata kanë merak për të folur” – thotë Mihali në mesazh.
MESAZHET
26.07.2021 Mesazhi i Genc Konushevcit
Pershendetje Dejona
Si je
Jam Genc Konushevci
Kerkoj falje nese ju kam shqetësuar por e kerkova nr kontaktit tend nga Arber Zaimi
Se ju kam shkru ne messenger por nuk je pergjigjur
Ky eshte rast urgjent qe kerkohet takim me km
Ngadhnjim Jakupi – Sekretar i kompanise KOSTT kerkon takim urgjent me km se diqka paska ndodh e nuk po me tregon
Km…e njeh shume mire kete sekretarin.
E nse kish pas me ja percjell porosi po ju dergoj nr e kontaktit te Ngadhjnim Jakupit e ju mundeni me fol me dit arsyet urgjente
Dejona Mihali: A e njeh kete Ngadhnjim Jakupin.
Jo nuk e njoh (Nagipi)
Dejona Mihali: A ka mundesi ta kontaktosh dhe ta pyeses si eshte puna?
Veetem i thuan qe na thane se dicka problem keni aty
(Edhe skender Gjonbalaj ka njoftuar se po duan te bejne njefare ristrukturimi Brenda KOSTT dhe se gjendja eshte pak problematike dhe rrezikohet sturktura e brendshme e KOSTT. Nuk e di a behet fjale per te njejten )
Vetem ki parasysh që kujdesu të jesh diskret sepse ata kanë merak për të folur.
Nagip Krasniqi: Ok, a ti them që jam nga komiteti i Energjetikës?
Po gjeje një mënyrë që t’i kërkosh takim. Dmth i thuaj a mundesh një kafe të lutem. Kam nevojë për të konsultuar disa çështje.
I thuaj që je nga komiteti
Nagip Krasniqi: OK Ska problem
Dejona Mihali: Dhe që po përgatisim disa materiale për deputetët
Çka kishte ndodhur në të vërtetë?
Është data dhe dita e njëjtë. 26 korrik 2021 kur Dejona Mihali shkëmben mesazhin me Nagip Krasniqin rreth kërkesës emergjente të Genc Konushevcit, për një takim në mes të Ngadhënjim Jakupit dhe kryeministrit Albi Kurti.
Në ditën kur Mihali njofton Nagip Krasniqin, Ngadhënjim Jakupi, atëkohë ushtrues detyre i Sekretarit në KOSTT, do t’ua dërgonte e-mailin anëtarëve të Bordit të Drejtorëve në KOSTT, njoftimin për një mbledhje të jashtëzakonshme të Bordit, e cila ishte kërkuar nga dy anëtare të Bordit.
Qëllimi i kësaj mbledhje të jashtëzakonshme? Shkarkimi i Ngadhënjim Jakupit.
Pra, z.Jakupi, sipas mesazheve në mes të Mihalit dhe Nagip Krasniqit si dhe duke qenë i vetëdijshëm për një mbledhje të jashtëzakonshme ku do të kërkohej, m’u atë ditë do të lypej ‘takimi urgjent me kryeministrin’.
EMAILI
Data: 26.07.2021
Të nderuar Bord i Drejtorëve,
Bazuar në kërkesën e znj.Kiçmari dhe znj.Gashi-Hamdiu, me te cilen eshte kerkuar te mbahet nje mbledhje e jashtezakonshme dhe me konfirimin e z.Zariqi dhe z.Hasani, mbledhja e jashtezakonshme nr.123.1/21 eshte caktuar per date 28 korrik 2021 (e merkure) me fillim nga ora 13:00h me lokacion selia kryesore KOSTT.
Ne nderkohe do te keni ne dispozicion edhe agjenden me piken e rendit te dites.
Me respect
Ngadhënjim Jakupi.
Mbledhja e Bordit të Drejtorëve do të mbahej dy ditë më vonë, pasi Ngadhënjim Jakupi do kërkonte takim urgjent me kryeministrin Kurti dhe pasi e dinte se do të shkarkohej nga Bordi i KOSTT-it. Ai shkarkohet më 28 korrik 2021.
“Bordi i Drejtorëve miratoi vendimin me të cilin shfuqizohet vendimi 210212-II/ 12 i Bordit të Drejtorëve me të cilin Ngadhnjim Jakupi është emëruar ushtrues detyre i Sekretarit të kompanisë KOSTT sh.a”, thuhet në procesverbalin e mbledhjes së jashtëzakonshme të Bordit të drejtorëve të KOSTT.
Për të folur rreth kësaj teme, në intervistën e Nacionales, ishin të ftuar dy ish-anëtarë të KOSTT-it, znj.Xhyldane Murtezi Kiçmari dhe z.Nebih Zariqi.