"Vrasje, dëbim të shqiptarëve, plaçkitje": Dushko Arsiq dënohet me 13 vite burgim për krime lufte - NACIONALE

"Vrasje, dëbim të shqiptarëve, plaçkitje": Dushko Arsiq dënohet me 13 vite burgim për krime lufte

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sot është mbajtur seanca ndaj Dushko Arsiqit, serbit që akuzohet për krime lufte gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Arsiqin për krime lufte ndaj shqiptarëve në luftën e fundit. Trupi gjykues i Gjykatës Themelore e ka dënuar Arsiqin me 13 vite burg.

Sipas aktakuzës, Arsiq ngarkohet se ka marrë pjesë në vrasjen e shqiptarit Brahim Shala më 20 prill 1999 në Butovc të Prishtinës. Ai gjithashtu akuzohet se ka malltretuar fizikisht dhe psiqikisht të dëmtuarin Artan Krasniqin. Arsiq akuzohet se ka qenë pjesë e policisë serbe dhe grupeve paramilitare, ndërsa aktakuza e bënte përgjegjës Arsiqin për keqtrajtim të civilëve shqiptarë, plagosje e vrasje.

Më saktë, Arsiq akuzohej se më 20 prill të vitit 1999 ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh në Butovc të Prishtinës, si dhe ka maltretuar fizikisht e psiqikisht të dëmtuarin A.K.

Arsiq akuzohej, siç raportone Betimi për Drejtësi, “se ka marrë pjesë në ekzekutimin e tani të ndjerit B.Sh., ashtu që më 20 prill 1999, në fshatin Butovc të Komunës së Prishtinës, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima kishte qenë duke ecur, e kanë gjuajtur me pushkë automatike dhe pasi që e kanë goditur, e kanë urdhëruar të dëmtuarin A.K., i cili atë kohë ishte 15 vjeçar, që trupin e viktimës B.Sh., ta mbajë në shpinë edhe pse i dëmtuari ka pasur lëndime të konsiderueshme fizike për shkak se i akuzuari paraprakisht e kishte maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.”

Aktakuza e bënte përgjegjës Arsiqin edhe për keqtrajtimin e civilëve shqiptarë, plagosje, si dhe për vrasje. Në aktakuzën, që u ngrit më 2 nëntor të 2022, Prokuroria Speicale shkruante se ekziston dyshimi i bazuar se Arsiq në bashkëryerrje me pjesëtarë të tjetër policisë serbe dhe grupeve të tjera paramilitare, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpernguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina.

Tutje, në aktakuzë, Arsiq ngarkohej edhe me veprën penale se bashkë me një grup tjetër kishte filluar plaçkitjen e shtëpive dhe se ia ka vënë zjarrin pronës së shqiptarëve, duke pasur si qëllim dëmtimin e tyre.

Sjellim ndër mend që Arsiq ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat për krime lufte në drejtim të tij.

“Ashtu siç kam deklaruar edhe paraprakisht, asnjëherë nuk kam qenë në Butovc apo në Kolovicë dhe nuk e di dhe nuk mund të them asgjë për këtë ngjarje”, kishte deklaruar Arsiq.

Lajme të ngjashme