Ekspozita e Gashit ‘dënohet’ gati se njëzëri në Kosovë për deformim të historisë
Dënime të ashpra janë adresuar ndaj autorit Shkëlzen Gashi pas ekspozitës në Prishtinë që trajton masakrat e luftës 1998–1999.
Ekspozita e autorit Shkëlzen Gashi është akuzuar gjerësisht për shtrembërim të fakteve dhe deformim të historisë.
Reagimet kanë qenë të menjëhershme, të ashpra dhe pothuajse unanime, nga organizata, parti politike dhe të mbijetuar të masakrave.
Në qendër të debatit është paraqitja e Masakrës së Dubravës dhe kategorizimi i viktimave.
Gashi ka paraqitur se mes viktimave kishte edhe “48 shqiptarë të armatosur”, një formulim që ka nxitur reagime të forta.
Fondi për të Drejtën Humanitare, ku Gashi u thirr t'i ketë marrë të dhënat, e ka kundërshtuar publikisht këtë pretendim, duke e cilësuar si të pasaktë dhe joprofesional.
Në reagimin e tyre thuhet se “kjo nuk është çështje interpretimi, por mungesë elementare e njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare”.
Sipas fondit, viktimat në Dubravë ishin të burgosur nën kontroll të plotë të autoriteteve serbe, dhe jo luftëtarë aktivë.
Aktivistja serbe Natasha Kandiq ka shkuar më tej, duke vënë në dyshim kompetencën profesionale të autorit.
“Shkëlzen Gashi nuk kupton. Ai nuk e kupton dhe as nuk e ka dijen për të kuptuar atë çka ne kemi shënuar”, deklaroi ajo dje për Nacionalen.
Kandiq theksoi se statusi i viktimave ndryshon në momentin e arrestimit dhe mbrohet nga Konventat e Gjenevës.
“Ata janë vrarë si të burgosur, nga gardianë të armatosur”, shtoi ajo, duke kundërshtuar kategorikisht interpretimin e Gashit.
Ajo gjithashtu sqaroi se termi “ushtar” në listime nuk nënkupton automatikisht person të armatosur në momentin e vrasjes.
“Ushtar (i listuar) nuk do të thotë shqiptar i armatosur”, theksoi Kandiq, duke e cilësuar keqlexim të rëndë të të dhënave.
Ndërkohë, reagimet politike kanë qenë edhe më të drejtpërdrejta dhe akuzuese.
Ish-deputeti Enver Dugolli, i mbijetuar i Dubravës, e quajti përshkrimin “plotësisht të pavërtetë”.
“Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur”, deklaroi ai.
“Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, shtoi Dugolli, duke e kundërshtuar narrativën e ekspozitës.
Deputeti Nait Hasani e cilësoi ekspozitën si “krim monstruoz” dhe kërkoi ndjekje penale për autorin.
Ai akuzoi institucionet për bashkëpërgjegjësi, duke thënë se “kjo ekspozitë është krim duke vrarë edhe njëherë të burgosurit e Dubravës”.
Edhe eksperti i sigurisë Burim Ramadani e konsideroi rastin si tentativë për ndryshim të historisë.
“Lufta hibride po vazhdon ndrrimin e historisë së Kosovës”, paralajmëroi ai, duke kërkuar reagim urgjent të Prokurorisë.
Institucionet shtetërore kanë reaguar në mënyrë më të kujdesshme, por jo pa distancim.
Kuvendi i Kosovës pranoi financimin, por theksoi se “përmbajtja dhe qëndrimet mbeten përgjegjësi e autorëve”.
Ndërkohë, ministri Andin Hoti paralajmëroi për rrezikun e relativizimit të krimeve.
“Këto nuk janë gabime të thjeshta teknike, por shtrembërime që rrezikojnë të relativizojnë krimet”, deklaroi ai.
Ai kërkoi tërheqjen e menjëhershme të materialeve dhe hetim institucional të plotë.
Partitë politike kanë artikuluar një qëndrim të përbashkët kundër ekspozitës.
PDK e quajti atë “të papranueshme dhe skandaloze”, duke kërkuar llogaridhënie për financimin dhe promovimin.
“Çdo përpjekje për të deformuar të vërtetën është e rrezikshme për kujtesën kolektive”, thuhet në reagim.
LDK e cilësoi rastin si “devijim serioz nga e vërteta historike dhe cenim të rëndë të dinjitetit të viktimave”.
“Shteti i Kosovës nuk mund të sponsorizojë narrativa që bien ndesh me të vërtetën e luftës”, theksoi kjo parti.
AAK dënoi “përpjekjet për të rishkruar historinë”, duke i cilësuar si “sulm të drejtpërdrejtë ndaj viktimave”.
Ndërsa Nisma Socialdemokrate e përkufizoi rastin si “devijim i rëndë institucional”.
“E vërteta e luftës së Kosovës nuk është çështje interpretimi”, deklaroi kjo parti.
Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen dhe ka ndërmarë veprimet për largimin e ekspozitës nga sheshi "Nëna Terezë."