Eksponentë të VV-së e kundërshtojnë QUINT-in me pyetje e parulla, një deputet thotë "ura do të hapet"
Dje ambasadorët e vendeve të QUINT-it, përmes gojës së Jeff Hovenierit, ambasador i ShBA-së, e qartësuan se nuk përkrahin ndryshimin e statusit aktual të Urës së Ibrit. Madje, përveç QUINT-it, Hovenier tregoi se në këtë linjë mendimi është edhe NATO-ja, pra Perëndimi. Megjithatë, Qeveria e Kosovës, në një komunikatë pas takimit me ambasadorët e QUINT-it, vlerësoi se ura duhet të hapet.
Përtej qëndrimit zyrtar, në këtë temë politike u përfshin edhe shumë zyrtarët të Lëvizjes Vetëvendosje, kryesisht deputetë të Kuvendit të Kosovës. Armend Muja, deputet i VV-së, shkroi një listë të “gjërave që QUINT-i nuk e ka mbështetur Qeverinë e Kosovës”.
Sipas Mujës, të gjitha këto kundërshtime të QUINT-it kanë të bëjnë me Serbinë.
“Asnjë nga këto kundërshtime ndaj Qeverisë së Kosovë nuk kanë të bëjnë me çështje që lidhen me mungesë të demokracisë, sundimin e ligjit, veprime korruptive, abuzim me paranë publike, keqqeverisje apo orientim te kundërt strategjik. Të gjitha kanë të bëjnë me Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare me vite tash po e trajton Serbisë si të jetë një Ari Siberian në Ballkan që është mirë ta lëmë të qetë që mos të kemi probleme. Por ariu nuk zbutet me ledhatime” – ka shkruar ai.
Në lidhje me këtë temë, Dimal Basha, deputet tjetër i VV-së, ua shtroi një pyetje ndërkombëtarëve.
“Ndërkombëtarët dikur nuk lejonin hapjen e urës për shkak të kërcënimeve të strukturave kriminale në veri dhe frika nga eskalimi!
Tani që kriminelët nuk janë më, tregoni qytetarëve cila na qenka arsyeja që ura duhet të mbetet e mbyllur?” – ka shkruar Basha.
Ndërsa deputeti Besim Muzaqi, po ashtu nga VV-ja, duket se nuk i intereson shumë qëndrimi refuzues i QUINT-it ndaj idesë së hapjes së Urës së Ibrit. Muzaqi vlerësoi se “Ura do të hapet!”
“Ura duhet të hapet.
Ura do të hapet!” – ka shkruar ai.
Pyetje publike shtroi edhe deputetja Fitore Pacolli.
“Ma gjeni një urë në Evropë e cila qëndron e mbyllur për arsyjet e njëjta sikurse në Kosovë” – pyeti deputetja e VV-së.
Ndërsa Hysamedin Feraj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, e akuzoi QUINT-in se po e bën urën mur.
“Ndihma më e re Quint-it:
Një urë e bën mur!
Kë dhe çka ndihmon ky mur?!” – ka shkruar Feraj.
Çfarë thanë QUINT-i e Qeveria Kurti?
Pas takimit me Kurtin, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë qartësisht se shtetet e QUINT-it në konsultim me NATO-n, aktualisht nuk e mbështesin asnjë ndryshim të statusit aktual të urës në Mitrovicë.
"Ne përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shtetet e Bashkuara .... u takuam me kryeministrin Kurti për ta informuar që qeveritë tona në konsultim me NATO-n nuk mund ta mbështesin asnjë ndryshim të statusin aktual të urës së Mitrovicës aktualisht" – u shpreh dje Hovenier pas takimit me Kurtin.
Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës, që udhëhiqet nga Kurti, thotë se Ura e Ibrit duhet të hapet. Sipas komunikatës së lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, në takim Kurti ua ka paraqitur ndërkombëtarëve planin e tij për hapjen e Urës së Ibrit.
“Konsultimet dhe koordinimi vazhdojnë. Siç thuhet në planin e Bashkimit Evropian për rivitalizimin e urës, ura e Mitrovicës mbi Ibër do të bëhet simbol i normalizimit të marrëdhënieve në Kosovë. Në po atë plan thuhet se “rivitalizimi i saj do të kontribuojë shumë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet të gjithë qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe kështu do të kontribuojë në shkëmbime dhe mirëkuptim”. Andaj ura duhet të hapet. Ajo është në shërbim të të gjithëve, dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi” – thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.