Ekskursioni, i kotë, i LDK’së në Tiranë, për ta shpëtuar Edi Ramën - NACIONALE

Ekskursioni, i kotë, i LDK’së në Tiranë, për ta shpëtuar Edi Ramën

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Nëse ndonjëherë ndiheni krejtësisht të padobishëm dhe që nuk po bëni bash asgjë në këtë jetë, atëherë kujtojeni vizitën në Tiranë të një delegacioni të gjërë të LDK’së dhe do të ndiheni më mirë. Po cila është në fakt arsyeja reale e kësaj diagonale të re politike, LDK – PS, që për disa dekada më radhë kanë pasur raporte të ftohta? Albin Kurti.

Berat Buzhala

Thonë, nëse bash asgjë nuk ke për të bërë, atëherë livrite derën. I tillë mu dukë ekskursioni i djeshëm i një delegacioni të gjërë të LDK’së në Tiranë. Aq i gjërë ishte delegacioni, sa në takim me Ilir Metën, për njeriun më të mënçur të LDK’së, Kujtim Shalën, nuk kishte pasur as karrige. Mikëpritësi ishte detyruar ta stiste një mini-tavolinë dhe një karrige më ndryshe, për ta rehatuar profesorin dhe shkrimtarin e LDK’së.

Kur e pashë atë përbërje nëpër takime me Ramën e Metën fillimisht u ndala dhe mendova se cfarë dite dhe cfarë date ishte, sepse dëshiroja ta dija se cfarë e mire i kishte çu në kryeqytetin shqiptar të gjitha kokat e LDK’së. Më vonë e kuptova se paska qënë një ftesë e Edi Ramës për Lumir Abdixhikun, e pastaj jemi që jemi, do të kenë thënë udhëheqësit e LDK’së, po e takojmë edhe Ilir Metën.

Po Berishën a do ta takojmë, po besoj do të ketë pyetur Kujta ose Arbeni, sepse nuk duhet të harrojmë asnjëherë raportet e LDK’së me liderin historik të së djathtës shqiptare, politikanit që e rrëzoi diktaturën komuniste, e që tash së fundmi e rrëzoi edhe Bashën.

Ndoshta nuk është bërë fare kjo pyetje, por të gjithë e kanë pasur në mendje. Nuk mund të shkosh në Tiranë në vizitë zyrtare, e të mos mendosh fare për Berishën. Kosovarët edhe kur shkojnë për pikën e qefit në Shqipëri shpeshherë janë ndalur për një foto me Doktorin, e lëre më politikanët.

Sido që të jëtë, një politikan i kujdesshëm si Lumiri, duke e ditur se në cfarë liste të zezë është futur Berisha, jo që nuk do ta takonte Berishën, por ka rrezik që edhe kolonës së veturave të delegacionit të LDK’së do t’i këtë thënë që të mos shkojnë as afër selisë së PD’së, se mos rastësisht e shohin Berishën në oborr. “Nuk kemi nevojë të rrezikojmë”.

“Po Metën, a duhet ta takojmë, sepse është shok me Berishën? A mos po rrezikojmë më tepër se sa që kemi nevojë”, do të ketë pyetur Lumiri.

“Po po Meten kemi të drejtë ta takojmë, se Meta ende nuk është në listë të zezë, dhe më duket që Metën e takojnë ende amerikanët”, duhet të ketë thënë zëri i arsyes në delegacion prej 20 vetave.

Po cila është në fakt arsyeja reale e kësaj diagonale të re politike, LDK – PS, që për disa dekada më radhë kanë pasur raporte të ftohta?

Arsyeja është Albin Kurti.

Rama, që ka mbetur pa aleat në Kosovës ç’prej kur Thacin e mori Haga, ka nevojë të tmerrshme që të lidhet më dikë. Raportet e tij me Kurtin, ose më mirë le të themi raportet e tij me Vuçiqin, e kanë lënë atë pa asnjë mbështetje në Kosovë, ku jo shumë vite më parë pritej me lule kur vinte nga Beogradi. Tash më e madhe është mundësia që të pritet me lule në Beograd.

Prandaj, i gjetur në këtë situatë, ai ka vendosur që ta provojë fatin e tij me një politikan të ri.

“Me kënaqësi zhvilluam sot një bashkëbisedim shumë të hapur e miqësor me kryetarin reformator të LDK, Lumir Abdixhiku dhe delegacionin nga Prishtina🇦🇱🤝🇽🇰”, ka shkruar Rama në faqën e tij në Facebook. Theksi këtu duhet të vihet të cilësori REFORMATOR. Pra, në Kosovë, thotë nënteksti i këtij postimi, ka shumë politikan, por ky që “e takova unë është reformatori”. A po dëgjon Albin?

Nuk kanë kaluar aq shumë vite kur Rama, në një kongres të PS’së, e kishte quajtur Albinin si pasuri kombëtare. Me shumë dëshirë, tash, do ta kishte dhënë me koncesion atë pasuri kombëtare.

Në anën tjetër Lumiri, e ka takuar Ramën, po për të njëjtat arsye që Rama e ka takuar atë.

Thellë në vete Lumiri e di që takimet me Ramën kanë kosto. Lumiri nuk është i marrë që të mos i di pozicionet e Ramës në raport me Serbinë, e në raport me Kosovën, por duhet të këtë thënë më vete: Cka dreqin me bo, prej kur jam zgjedhur kryetar i LDK’së i kam takuar vetëm kryetarët e komunave nga radhët e LDK’së.

Mirëpo është për keqardhje që një politikan i ri, i sapo zgjedhur kryetar i partisë, të provojë fatin e tij politik me eksperimente të tilla.

“Sot, pas ftesës së Kryeministrit Rama, vizitova Tiranën. Takimet me Kryeministrin shqiptar janë gjithnjë të veçanta. Edhe ky i sotmi s’ishte më ndryshe”, kështu ka shkruar Lumiri në Facebook, për këtë takim.

Shtrohet pyetja, pse qënkan të vecanta takimet me Ramën? Të vecanta, sepse është një politikan që e ka kapur shtetin si me mengele? Të vecanta, sepse Rama po e bën atë të vecantë, duke u lidhur më shumë me Serbinë se sa me Kosovën, apo të vecanta, sepse Rama te fanepsi me disa bluza që i ka dhuratë nga Ronaldo, Buffon dhe yje të tjerë të futbollit? Meqë ishit kaq kallabllak a guxuat dikush ta pyesnit atë për raportet e ngushta me Vuciqin? Apo nuk u kujtuat për këto tema?

“Me Edin biseduam për bashkëpunimin ndërpartiak; për punët e partive tona përpara, por mbi të gjitha, biseduam për nevojën e domosdoshme për bashkërenditje të ngushtë të politikave mes dy shteteve - sidomos në periudhën e tanishme nëpër të cilën regjioni po kalon”, ka shkruar kreu i LDK’së.

Sa e vështirë do të ketë qënë që të formulohen fjali si këto. Këto janë esktrakti i kotësisë. Bashkëpunimi. Nevoja. Bashkërenditja. Regjioni. Për ta kurorëzuar këtë fjali, në mënyrë që ta shpallim atë si fjalinë më të mëzitshme të tre mujorit të parë të këtij viti, mungonte vetëm edhe fjala Sinergji.

Unë parimisht nuk jam kundër këtyre takimeve ndërshqiptare. Pse jo? Tek e fundit Tirana është 3 orë larg. Një drekë, një darkë, një lidhje e re, nuk janë aspak të dëmshme. Tek e fundit pse të mos e sprovojnë vetën në toskërisht edhe zyrtarët e LDK’së, të cilët rëndom, politikisht, janë ankoruar në Tropojë. Mirëpo, mos të na shesin dushk për gogla. Vizita në Tiranë ishte një tentativë personale për të dalë nga margjina, kurse për Ramën pritje e mysafirëve nga Prishtina ishte shpresa e një personi që po mbytet, duke u kapur për një fije të barit.

As Edi e as Lumiri nuk do ta mundin Albinin me aleanca të tilla qesharake.

Lajme të ngjashme