EKSKLUZIVE: VV pranon kërkesën e opozitës për komision hetimor për energjinë
Vetëvendosja ka pranuar propozimin për ta formuar Komisionin Parlamentar për ta hetuar krizën energjetike. Çështje kjo që prodhoi ngërç.
Burime të Nacionales bëjnë me dije se Vetëvendosja ka pranuar kërkesën e opozitës për ta votuar Komisionin Parlamentar për ta hetuar krizën energjetike.
Opozita që dy muaj është duke kërkuar të drejtën e vet kushtetuese për ta formuar këtë komision, të iniciuar nga PDK-ja dhe të nënshkruar nga 40 deputetë, përfshirë edhe LDK-në e AAK-në.
Kurti krizën energjetike e kaloi nën batanije, duke e kursyer nga pak rrymën e duke promovuar kursimin e rrymës ndër qytetarë, por përkundër sakrificave të tij, qytetarëve fatura e rrymës po u vjen më shtrenjtë.
Procesin e menaxhimit të krizës energjetike me sy dyshues e pa PDK-ja, dhe kërkoi të themelohet Komision Hetimor parlamentar.
Opozita fillimisht s’i doli në ndihmë PSD-së që organizoi protestë kundrejt shtrenjtimit të rrymës, ama tash u kujtua t’ia bëjë argatin PDK-së sa për t’i mbledhur bashkë 40 nënshkrime.
Megjithatë, këto nënshkrime nuk mjaftuan. Komisioni Parlamentar për ta hetuar krizën energjetike u bë veç me përkrahjen e numrave të pozitës, e cila më në fund pranoi.
Dyshimet për manipulime me krizën energjetike u rritën sidomos pas skandalit të ambasadorit Martin Berishaj, i cili dyshohet të ketë përfituar deri në 600 mijë euro nga GEN-i (kompani energjetike) në Beograd.
Këto akuza për manipulim gjatë krizës energjetike, të papranueshme për VV-në, pozita i ktheu në kundërakuza, duke kërkuar tash që të hetohej opozita sa ishte në pozitë, për menaxhimin e energjisë që nga 2006-a.
Nacionale mëson se edhe ky propozim i VV-së u pranua tash nga pozita, megjithatë propozimi i PDK-së do të votohet i pari.
Kuvendi thirri seancë për t’i trajtuar këto propozime, por prodhoi vetëm debat palidhje e zhurmë... besa edhe sharje me ‘robë’. Aq pati përplasje të tavolinave, sa që shishet e xhamit dëmtuan seriozisht tavolinat e deputetëve opozitarë.