Ëëëëë: Ministrja Artane 'harxhoi' kot rrymën e televizorit me paraqitjen e mbrëmshme - NACIONALE

Ëëëëë: Ministrja Artane 'harxhoi' kot rrymën e televizorit me paraqitjen e mbrëmshme

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Është bërë 1 vit që kur Artane Rizvanolli është emëruar ministre e Energjisë. Megjithatë, informimi i publikut dhe përgjegjësia para tij lënë shumë për të dëshiruar. Gjatë kësaj kohe ajo doli nja tri herë në intervista, por të gjithëve na kujtohet këshilla e saj për t’i hequr ‘joystick-at’ nga rryma kur s’i përdorim. E ‘shakaja’ nuk po ndalet.

Dje, Rizvanolli u paraqit në një intervistë, për të cilën besojmë se nuk do të jetë edhe aq krenare. Ajo u zu ngushtë disa herë për shumë çështje - ndoshta më mirë do të ishte të paraqitej më shpesh - edhe për publikun, por edhe për të. Të paktën do të bënte përvojë në paraqitje publike.

Rizvanolli intervistën e filloi duke u mburrur për transparencën e ministrisë së saj në raport me publikun. Ajo tha se “Është rritur transparenca”, por kur asaj ia kujtoi gazetari se deri tash është paraqitur tri herë në intervista, arsyetimi ishte se në momente kur duhet të paraqitet në media, Rizvanolli gjendet në zyrë duke punuar.

Ajo madje, kishte fotografuar veten duke punuar plot dhjetë minuta pas orarit të punës (17:10) me homologun e saj, Liburn Aliun.

Në fakt janë ndoshta pesë intervista... Prej natyrës jam ashtu, që unë fokusohna për ta kryer një punë para se të... arsyeja pse nuk dalim në media është se jemi duke punuar diku në zyrë.

Për procesin e rekrutimit brenda administratës së saj, ministrja e Ekonomisë si statistikë matëse për punën e saj përdori shprehjen “50 herë më mirë”, e kriter vlerësues për veten e mori shprehjen “më kanë thënë njerëz”.

Nga disa njerëz të përfshirë në këto procese në të kaluarën, më kanë thënë që 50 herë procesi ka qenë më i mirë se herët e kaluara.

Meqë jeni ministre e Ekonomisë, kemi dëgjuar 50%, por jo 50 herë...”, e plotësoi gazetari Adriatik Kelmendi.

Bordi i OSHP-së ka tash e një vit që nuk është emëruar, e për këtë Rizvanolli tha se ka ‘paaak’ vonesa sepse do të emërohet një bord me integritet të plotë.

Kemi humbur pak kohë për të siguruar që kemi një bord të OSHP-së me integritet të plotë”, tha Rizvanolli.

Nuk është pak, është një vit”, u plotësua nga gazetari.

Madje dhe nëse është vit. Kjo punë merr shumë kohë, ka procedura burokratike”, pranoi Rizvanolli.

Ministrja e pranoi se nuk i njeh mirë procedurat për emërimin e bordit të OSHP-së, por gjithashtu pranoi se nuk e di e as nuk ka parashikim se kur mund të emërohet ky bord.

Nuk i njoh aq mirë procedurat. Nuk e njoh mjaftueshëm... Ministria ime nuk ka të bëjë me këtë proces”, ka thënë ministrja.

Pse s’keni blerë rrymë paraprakisht kur e keni ditur që po vjen kriza energjetike.

Ne kemi bërë përtej kompetencave të ministrisë dhe qeverisë për menaxhim të kësaj krize”, ka thënë Rizvanolli.

Derisa çmimi i rrymës është shtrenjtuar goxha shumë dhe derisa ministrja thotë se ka punuar përtej kompetencave të saj, Rizvanolli humbi konstruktimin e fjalisë dhe ankohet duke i thënë gazetarit se e ndërpreu. [Ndoshta gazetarët s’duhet të bëjnë pyetje fare, që intervista të dalë më mirë]

Kemi shkuar përtej mandatit tonë i cili është politikbërja për të...”, këtu ndalet Rizvanolli.

Në situata emergjente duhet të shkohet”, e plotësoi Kelmendi.

“... Më ndërpreve tash”, lidhet Rizvanolli.

Një nga premtimet e VV-së para se të vinte në pushtet ishte nacionalizimi i sektorit të energjisë, sepse sipas tyre, privatizimi nuk është bërë si duhej bërë.

Por, kur ministrja pyetet sa a ka nismë për nacionalizimin e kompanive private që janë privatizuar, Rizvanolli thotë se as s’e ka në plan.

Fokusi ynë është të sigurojmë rrymë, nuk ka plane të tilla”, ka thënë Rizvanolli.

E për gazin amerikan, Rizvanolli tha se donacioni amerikan nuk u realizua në projekt sepse nuk kanë qenë të bindur për fizibilitetin e projektit dhe ministrja ka vendosur të mos ngutet.

Lidhur me këtë “refuzim” siç e quan Haradinaj, ky i fundit thotë se Kosova e zgjodhi Gazpromin dhe Rusinë, para Amerikës.

Nuk kemi qenë të bindur për fizibilitetin e projektit, në kohën kur kriza veç pati filluar, gjë që na ka shtuar dyshimin se kishim paqartësi rreth çmimeve të gazit dhe kemi vlerësuar se është më mirë të mos ngutemi. Kemi vlerësuar se paratë e grantit janë shpenzuar për qëllime të tjera. Paratë nuk janë humbur”, ka sqaruar Rizvanolli.

Ndërsa në pyetjen se a blen Kosova më së shumti energji prej Serbisë, Rizvanolli thotë se këtë informatë s’e ka.

Sigurisht që ka statistika për këtë, por unë nuk e kam këtë informatë momentalisht.

Tash pas shtrenjtimit të energjisë, në pyetjen se a pritet përsëri të shtrenjtohet rryma, ministrja e Energjisë thotë se “Këtë nuk mund ta parashikoj”.

Njëjtë Ministria e saj nuk e parashikoi as krizën e madhe energjetike, ku si rezultat çmimet fluturuan, e faturat i paguajmë ne qytetarët.

Pas një paraqitjeje si kjo e Rizvanollit, edhe mund ta arsyetojmë pse nuk paraqitet ne intervista aq shpesh.

Lajme të ngjashme