Edi Rama injoron ‘non-gratën’ e SHBA-ve - NACIONALE

Edi Rama injoron ‘non-gratën’ e SHBA-ve

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Thesarit të SHBA-ve, para pak jave vendosi edhe disa emra të figurave publike nga Shqipëria në ‘listën e të padëshiruarve’. Në listën e sanksioneve të SHBA-ve ishte edhe ish-deputeti Aqif Rakipi.

Ish-deputeti i ‘‘Drejtësi, Integritet dhe Unitet’’, që ishte në koalicion me partinë e kryeministrit Rama PS-në, cilësohet nga shteti amerikan si ‘‘ish-deputeti famëkeq’’, i cili është i përfshirë me krimin e organizuar dhe që ka ndikim të dëmshëm në proceset politike në Shqipëri. Deputeti, po ashtu, akuzohet se me ndikimin e tij ka blerë vota dhe, së paku dy deputetë të PS-së, kanë fituar mandatin për shkak të ndikimit dhe lidhjeve të tij parapolitike.

“(Rakipi) është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, Shqipëri, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri. Grupe të shumta të krimit të organizuar (GKO) në Shqipëri kanë ofruar para, dhurata ose premtime për vende pune apo lëshime në këmbim të votave për partinë e tyre të preferuar politike”, thuhet ndër tjera, në raportin e Departamentit të Thesarit për shpalljen non-grata të ish-deputetit Aqif Rakipi.

Mediet nga Tirana raportojnë se djali i Rakipit, Orlando Rakipi, pa asnjë përvojë në proceset politike, arriti të bëhej deputet, kjo për shkak të ndikimit të babait të tij dhe lidhjeve të ish-deputetit me krimin e organizuar. Rakipi, po ashtu, potencohet se ka ndikuar t’ia fitojë mandatin e deputetit edhe dhëndrit të vëllait të tij, Sajmir Hasalla, që sot është pjesë e Kuvendit të Shqipërisë – të dy tash pjesë e PS-së.

Partia Socialiste vazhdimisht kishte thënë përmes zyrtarëve të lartë të saj se socialistët respektojnë vendimet e SHBA-ve, pasi janë aleati strategjik i Shqipërisë. Mirëpo, tashmë kanë kaluar disa javë dhe Partia Socialiste s’ka bërë ndonjë distancim, apo s’ka marrë masa për dy deputetët e saj që dyshohet se në mënyrë jodemokratike janë futur në Kuvendin e Shqipërisë.

Mediet nga Tirana theksojnë se ende asnjë veprim për dy deputetët e përmendur nuk është zyrtarizuar nga grupi parlamentar i PS-së, si dhe kryeministri i vendit, Edi Rama, ende nuk është prononcuar rreth këtij rasti. Kryeministri Rama ka zgjdhur të heshtë dhe heshtja e tij është parë, qoftë nga opozita, qoftë nga mediet, si mbrojtje për dy deputetët e tij non-grata.

Kujtojmë se muajve tv fundit, SHBA ka vendosur disa persona në listën non-grata nga Ballkani Perëndimor. Vitin e kaluar, ishte shpallur i padëshiruar nga SHBA-të edhe ish-presidenti dhe ish-kryeministri Sali Berisha, çka kishte çuar në largimin e tij nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, mirëpo ky vendim tashmë është zhbërë pasi Berisha ka arritur ta largojë nga drejtimi i partisë Lulzim Bashën.

Brenda listës së padëshiruave nga ShBA-të janë edhe shumë emra tjerë nga Shqipëria, që përfshijnë biznismen, pronar të medieve, ish deputetë e ish ministra, po ashtu i pa dëshiruar nga ShBA-të është edhe ish Kryeprokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, ndajt të cilit edhe është ngritë aktakuzë nga shteti shqiptar.

Shpallja si të padëshiruar nga administra amerikane po vazhdon për shumë figura në Ballkanin Perëndimor. Këto vendime të administratës u morrën në kuadër të sankisioneve të ShBA-ve për "persona që kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit, aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese”, siç potencohet në deklaratën e Zyrës së Thesarit të SHBA për kontrollin e Pasurive të Huaja.

Edhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, në reagimin e tij në media thoshte se "SHBA dhe Britania e madhe po bëjnë përgjegjës ata që kërcënojnë stabilitetin, përparimin dhe integrimin europian të rajonit. Vendimi përforcon përkushtimin e Thesarit për të nxitur llogaridhënien për aktorë të përfshirë në sjellje destabilizuese dhe korruptive në rajonin e BP, që minojnë sundimin e ligjit, rritjen ekonomike dhe u mohon njerëzve në këto vende mundësi e stabilitet”.

Lajme të ngjashme