Edi Rama fillon vizitën në Paris: Pritet takimi me presidentin Macron - NACIONALE

Edi Rama fillon vizitën në Paris: Pritet takimi me presidentin Macron

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri Edi Rama nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në Paris, Francë, me ftesë të Presidentit francez Emmanuel Macron, ku do të zhvillojë një sërë takimesh të përqendruara kryesisht në promovimin e potencialeve dhe klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Konkretisht, ditën e premte në orën 8.30, Kryeministri Rama do të zhvillojë një mëngjes pune me Unionin e Sipërmarrësve të Francës MEDEF, nën drejtimin e z. Jean-Paul Agon, president i grupit L’Oréal dhe i komitetit Francë-Shqipëri në MEDEF, me pjesëmarrjen e 35 përfaqësuesve të kompanive prestigjoze franceze, si dhe të ftuar të tjerë nga bota e biznesit. Gjatë takimit do të prezantohen disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet dhe më pas kryeministri Rama do të zhvillojë takime individuale me drejtues të sipërmarrjeve pjesëmarrëse.

Të premten, në orën 12:30, do të zhvillohet ceremonia zyrtare e mirëseardhjes, e më pas në orën 13.00, Kryeministri Rama do të mbërrijë në Pallatin Elysee, ku do të mikpritet nga Presidenti francez Emmanuel Macron me të cilin do të mbajnë edhe një deklaratë për shtyp.

Lajme të ngjashme