Edhe një përpjekje e dështuar: Cirku në kuvend vazhdon
As përpjekja e 24-të i deputetëve për konstituimin e Kuvendit nuk ka rezultuar e suksesshme. Kjo pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr nga propozimi që kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të votohet në mënyrë të fshehtë.
Propozimi i VV-së për votimin për formimin e një komisioni për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votë të fshehtë nuk ka kaluar serish.
Kjo pasi PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk po marrin pjesë në këtë votim, duke vlerësuar se një gjë e tillë është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Për formimin e këtij komisioni sot kanë votuar vetëm 53 deputetë, kudër ka qenë 1 deputet, kurse abstenim nuk ka pasur.
Pas dështimit të këtij votimi, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, e ka ndërprerë seancën, duke njoftuar se përpjekja e radhës do të bëhet të hënën në orën 10:30.
Në fillim të muajit maj, VV-ja ka propozuar formimin e një komisioni, i cili do të monitoronte votimin e fshtë për kryetar të Kuvendit.
Një propozim i tillë ka ardhur pasi kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, kishte dështuar 6 herë rresht t`i marrë votat e nevojshme.
Çështja e votimit të fshehtë është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga AAK-ja, e cila është mbështetur edhe nga PDK-ja dhe LDK-ja.
Seanca për konstituimin e legjislaturës se nëntë ka filluar më 15 prill. Deri tani janë kaluar vetëm dy pika të agjendës.
Deputetët e kanë votuar raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe janë betuar.
VV-ja nuk po e ndryshon kandidaten për kryetare të Kuvendit edhe pse PDK-së dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të votojnë një kandidatë tjetër për kryetar.