Edhe nëse e vrasim ose e burgosim Zelensky-n, asgjë nuk do të ndryshojë - NACIONALE

Edhe nëse e vrasim ose e burgosim Zelensky-n, asgjë nuk do të ndryshojë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Zor se kam fjetur gjatë tërë këtyre ditëve, në punë pothuajse tërë kohën, më është mjegulluar truri. Ndoshta nga mbingarkesa në punë, por ndihem sikur jam në një botë surreale.

Personi që e ka përkthyer këtë tekst nga rusishtja në anglishte, pretendon se autor i tekstit është një pjesëtar aktiv i FSB-së (Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi). Autorësia e tekstit nuk është e vërtetuar.

Kutia e Pandorës është hapur – një tmerr i vërtetë global do të fillojë verës – uria globale është e pashmangshme. Rusia dhe Ukraina janë furnizueset kryesore të drithërave për botën. Të korrat e këtij viti do të jenë më të vogla dhe problemet logjistike do të rezultojnë në katastrofë.

Nuk mund të them se çfarë i bëri ata në krye që të vendosnin për ta vazhduar ekzekutimin e këtij operacioni, por po na fajësojnë rregullisht ne (FSB-në – rusisht: Federal'naya Sluzhba Bezopasnosti – Shërbimi Federal i Sigurisë). Po na qortojnë për analizën tonë. Së fundi, na është bërë gjithnjë më shumë presion që të përgatitim më shumë raporte. Të gjithë këta këshilltarë politikë e politikanë si dhe autoritetet po shkaktojnë kaos. Më e rëndësishmja, askush nuk e dinte se do të ishte një luftë e tillë – u fsheh nga të gjithë. Për shembull – të kërkohet që të analizosh rezultate dhe pasoja të ndryshme të një sulmi meteorik (koment i përkthyesit nga rusishtja në anglisht: sipas gjasave më të mëdha, ai e ka pasur fjalën për sanksionet e Perëndimit) – e kërkon modelin e sulmit dhe të thuhet se është vetëm diçka hipotetike dhe jo të theksohen hollësitë. Kështu, kupton se qëllimi i raportit është që të përdoret vetëm si katror për vënien e një shenje dhe se konkluzionet e analizës duhet të jenë pozitive për Rusinë, ndryshe, në thelb, merresh në pyetje për moskryerje të punës së mirë. Pra, duhet të shkruash se ne i kemi të qasshme të gjitha masat e nevojshme për t’iu kundërvënë efekteve të një lloji të caktuar të sulmit. Jemi tërësisht të mbingarkuar me punë. Por del se hipoteza të jetë kthyer në realitet dhe analiza që ne e kemi bërë për atë hipotezë, të jetë tërësisht bërllok.

Nuk kemi përgjigje për sanksionet për shkak të kësaj.

Askush nuk e dinte se do të ishte një luftë e tillë, askush nuk ishte i përgatitur për këto sanksione.

Është ana e keqe e fshehtësisë – pasi gjithçka u mbajt në terr, si do të mund të përgatiteshim për këtë?

Kadyrov-i (lideri çeçen) është çmendur. Ishim shumë afër një konflikti me të për shkak të ukrainasve përmes dezinformimit të tyre se kanë pranuar të dhëna inteligjente nga FSB-ja për ekipin e tij në Kiev. Ekipi i tij u shkatërrua plotësisht, madje para se të fillonte të luftonte, dhe ata u bënë copë e thërrime. Nuk kam ndonjë informacion që ka qenë rrjedhje informatash nga FSB-ja për Ukrainën, prandaj do t’i jepja gjasë prej 1 deri 2 për qind – por nuk mund ta përjashtoj plotësisht këtë mundësi.

foto1

Sulmi ynë i vrullshëm është shembur plotësisht. Është e pamundshme që të kryhet detyra: nëse Zelensky (presidenti ukrainas) dhe zëvendësit e tij do të kapeshin në tri ditët e para dhe nëse të gjitha ndërtesat kyçe gjithashtu do të kapeshin dhe nëse ata do të detyroheshin që para popullit të tyre ta lexonin fjalimin e dorëzimit, atëherë, rezistenca e Ukrainës, me gjasë, do të zvogëlohej deri në nivelin minimal. Teorikisht. Por çfarë pastaj? Edhe me këtë rezultat IDEAL, do të mbetej një problem i pazgjidhur: kush do të ishte pala tjetër në bisedimet tona? Nëse e largojmë Zelensky-n – mirë – kush do të nënshkruante marrëveshje? Nëse me Zelensky-n, atëherë, ajo marrëveshje do të ishte e pavlefshme, pasi ne do ta kishim larguar atë.

“ОПЗЖ” (partia opozitare ukrainase, që po bashkëpunon me Rusinë) ka refuzuar që të bashkëpunojë. Medvechuk-u (deputet pro-rus ukrainas), frikacaku, iku. Është një udhëheqës tjetër – Boyko, por edhe ai refuzoi, as njerëzit e tij nuk po e kuptonin. Dëshirova që ta kthej Tsaryova-n, por edhe djemtë tanë janë kundër tij këtu në Rusi. Ta kthejmë Yanukovich-in (ish-presidentin pro-rus të Ukrainës)? Por si? Nëse themi se nuk mund të pushtojmë, atëherë, qeveria e formuar rishtas do të rrëzohej brenda dhjetë minutave, posa të largoheshim ne.

Të pushtojmë? Ku do të gjenim aq shumë njerëz? Zyra e komandantit, policia ushtarake, kundërzbulimi, sigurimi – edhe me rezistencë minimale nga ukrainasit, do të na duheshin mbi 500.000 njerëz, pa i përfshirë furnizimet dhe logjistikën. Ekziston një rregull: nëse mundohesh që me sasi ta mbulosh udhëheqësinë me cilësi të keqe, do të përkeqësoje gjithçka. Po përsëris, ky do të ishte problemi në SKENARIN IDEAL, i cili nuk ekziston.

Dhe çka tash? Nuk mund të shpallim mobilizim të përgjithshëm për dy arsye: 1 – Mobilizimi do ta shkatërronte situatën në Rusi: situatën politike, ekonomike dhe sociale. 2 – Logjistika jonë është tashmë e mbitendosur. Mund të dërgojmë një kontingjent shumë më të madh në Ukrainë dhe çfarë do të merrnim? Ukraina – shtet me territor shumë të madh – dhe urrejta e tyre ndaj nesh është astronomike. Rrugët tona thjesht nuk mund t’i bëjnë ballë rifurnizimit të autokolonave të tilla dhe gjithçka do të ndalej. Nuk do të mund të kishim sukses në aspektin e menaxhimit për shkak të kaosit të tanishëm.

Këto dy arsye ekzistojnë njëkohësisht, edhe pse vetëm njëra prej tyre mjafton për të prishur gjithçka.

Sa u përket humbjeve të ushtrisë ruse: Unë nuk e di realitetin – askush nuk e di. Ishin disa informata në dy ditët e para, por askush nuk di se çfarë është duke ndodhur në Ukrainë. E kemi humbur kontaktin me divizione të rëndësishme. Ato mund ta rivendosin kontaktin ose mund të zhduken nga sulmet dhe as komandantët nuk dine se sa janë të vdekur, të lënduar ose të kapur. Numri i përgjithshëm i të vdekurve është përfundimisht me mijëra, ndoshta 10.000, ndoshta 5.000 ose ndoshta vetëm 2.000. Por as në komandën tonë, askush nuk e di, por ndoshta më afër 10-mijëshit dhe nuk po i llogaritim humbjet në Republikën Popullore të Donetskut dhe në Republikën Popullore të Luhanskut (shënim i përkthyesit: dy rajone lindore ukrainase, të cilat janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë dhe të cilat i ka njohur si shtete të pavarura Rusia).

foto2

Tash, edhe nëse e vrasim Zelensky-n ose nëse e burgosim, asgjë nuk do të ndryshojë. Niveli i urrejtjes ndaj nesh është i ngjashëm me atë në Çeçeni. Tani, edhe ata që ishin besnikë ndaj nesh në Ukrainë, janë publikisht kundër nesh.

Sepse e tërë kjo u planifikua në krye (në Rusi), sepse na është thënë se një skenar i tillë nuk do të ndodhte, përpos nëse do të sulmoheshim të parët. Sepse na është thënë se duhej t’i shtonim kërcënimet me qëllim të negociimit të një rezultati përmes paqes. Sepse ne tashmë ishim duke përgatitur protesta kundër Zelensky-t, madje pa e shqyrtuar fare pushtimin e Ukrainës.

Tash, humbjet e civilëve në Ukrainë do të ndjekin një progresion me model gjeometrik dhe rezistenca kundër nesh vetëm do të forcohet. Këmbësoria tashmë është përpjekur që të futet në qytete – nga 20 grupe parashutistësh, vetëm një pati sukses “provizor”. Kujtojeni pushtimin e Mosulit (qytet në veri të Irakut) – është rregull – ndodh me secilin shtet, asgjë e re.

Të bëhet rrethimi? Në dekadat e fundit, në Evropë – Serbia si shembulli më i mirë – qytetet mund të mbeten funksionale nën rrethim me vite.

Autokolonat humanitare nga Evropa për në Ukrainë janë vetëm çështje kohe.

Afati ynë me kusht është qershori. Me kusht, sepse në qershor nuk do të ketë ekonomi të mbetur në Rusi – nuk do të mbetet asgjë. Në përgjithësi, javën e ardhshme do të ketë një rënie (në Rusi) të njërës nga dy anët, thjesht për shkak se situata nuk mund të mbetet në kushtet e tanishme.

Nuk kemi analiza, nuk mund të bëjmë asnjë parashikim në këtë kaos, askush nuk do të mund të thotë asgjë me siguri (në Rusi).

Të veprohet me intuitë, sidomos me emocione të larta – kjo nuk është lojë pokeri. Por bastet tona do të duhet që të rriten, me shpresë se ndonjë opsion do të ketë sukses.

Tragjedia është që ne mund të bëjmë lehtë llogari gabimisht dhe, si rezultat, të humbim gjithçka.

Në përgjithësi, Rusia nuk ka rrugëdalje. Nuk ka opsione për fitore të mundshme, vetëm për humbje – kështu është puna.

foto3

E kemi përsëritur 100 për qind gabimin tonë të shekullit të kaluar, kur kishim vendosur që ta goditnim Japoninë “e dobët” me qëllim që të arrinim një fitore të shpejtë dhe doli se ushtria jonë ishte në një gjendje të katastrofës së plotë. Më pas, nisëm një luftë deri në fundin fitues, pastaj e filluam rekrutimin e bolshevikëve për riedukim në ushtri. Më pas, këta, bolshevikët pak të njohur, i shtuan sloganet e tyre kundër luftës.

Nga shenjat pozitive: ne bëmë gjithçka që të siguroheshim se nuk do të kishte asnjë shenjë që kemi dërguar njësi ushtarake ndëshkimore në front. Nëse rekruton të burgosur politikë dhe njerëz të padëshirueshëm në rrafshin social, fryma morale e ushtrisë do të jetë në anën negative.

Armiku është i motivuar. I motivuar në mënyrë të frikshme. Armiku di si të luftojë, ka shumë komandantë të aftë. Ata kanë armë dhe përkrahje. Ne thjesht do të krijojmë një precedent të katastrofës humanitare në botë.

Ajo që i frikësohemi më së shumti: Kreu (i shtetit) po mundohet që t’i maskojë problemet e vjetra me probleme të reja. Në një pjesë të madhe për këtë arsye, Donbass-i ndodhi më 2014 – Ne duhet që t’ia heqim vëmendjen Perëndimit nga “Pranvera Ruse” në Krime, në mënyrë që e ashtuquajtura krizë e Donbass-it ta marrë tërë vëmendjen dhe të bëhet karrem. Por probleme edhe më të mëdha nisën këtu. Më pas, i bëmë presion Erdoganit që të marrë katër gypa për “Rrjedhën Jugore” (të gazit) dhe u futëm në Siri. Kjo ndodhi pasi Suleimani (Roja Revolucionare Islamike) me vetëdije na ofroi të dhëna të rreme për t’i zgjidhur problemet e veta.

Si rezultat, ne nuk mundëm që ta zgjidhnim problemin me Krimenë dhe problemet e Donbass-it nuk u larguan. “Rrjedha Jugore” u zvogëlua në dy gypa (të gazit) dhe Siria ka mbetur pezull – ne largohemi dhe Assad-i do të rrëzohet dhe ne do të dukemi si idiotë, ndërsa qëndrimi atje është i vështirë dhe i kotë.

Nuk di se kush e solli idenë e sulmit të shpejtë ndaj Ukrainës. Nëse do t’i kishim marrë të gjitha të dhënat, të paktën do të kishim theksuar se plani fillestar është i diskutueshëm dhe se shumë gjëra duhet të rivlerësohen. Shumë gjëra u desh të rivlerësoheshin.

Tash, jemi zhytur në m** deri në qafë dhe nuk dimë se çfarë të bëjmë. “Denazifikimi” dhe “çarmatosja” nuk janë kategori analitike, sepse ato nuk i kanë formuluar konkretisht parametrat me të cilët mund të vlerësohet arritja e objektivave.

Tash, jemi mbërthyer duke pritur derisa ndonjë këshilltar i prishur mendërisht ta bindë kreun që të fillojë një konflikt me Evropën, me kërkesa që të pakësohen sanksionet – ata ose duhet t’i lehtësojnë sanksionet, ose luftë. Çka nëse Perëndimi refuzon? Në atë rast, unë nuk e përjashtoj mundësinë që të futemi në një konflikt të vërtetë ndërkombëtar, njësoj si Hitleri më 1939. “Z”-ja jonë do të barazohet me Swastikën (simbolin e nazizmit).

foto4

A ekziston mundësia për një sulm të lokalizuar bërthamor? Po. Jo për ndonjë objektiv ushtarak. Një armë e tillë nuk do të ndihmojë për prishjen e sistemeve mbrojtëse, por me qëllim të frikësimit të të gjithë të tjerëve (Perëndimit).

Po orvatemi që të krijojmë një skenar me të cilin e fajësojmë Ukrainën për gjithçka. Naryshkin-i (drejtor i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë) dhe agjencia e tij po e rrëmojnë dheun për të dëshmuar se Ukraina ishte duke prodhuar armë bërthamore në mënyrë të fshehtë. F**k! Ata po i mëshojnë asaj të cilën ne tashmë e kemi analizuar dhe për të cilën e kemi mbyllur librin: ne nuk mundemi që thjesht të shpikim ndonjë dëshmi ose provë dhe ekzistimin e specialistëve dhe të uraniumit. Ukraina ka një ton izotope të varfëruara 238 – kjo nuk është asgjë. Cikli i prodhimit është i atillë që nuk mund ta bësh fshehurazi.

Bomba e improvizuar bërthamore nuk mund të krijohet fshehurazi. Centralet e vjetra bërthamore të Ukrainës mund ta prodhojnë materialin vetëm si nënprodukt në sasi minimale. Amerikanët kanë vëzhgim të atillë në këto centrale, saqë edhe të flasësh për këtë është budallallëk.

A dini se çfarë do të fillojë pas një jave? Le të jetë edhe pas dy javësh. Do të katandisemi aq fort, saqë do të fillojmë t’i kujtojmë ditët e mira e të vjetra me uri të të nëntëdhjetave. Derisa tregjet po mbyllen, Nabiullina (guvernatore e Bankës Qendrore të Rusisë) duket se është duke i bërë hapat e duhur, por është njësoj si t’i mbyllësh me gishta vrimat në një anije. Situata do të thyhet në çdo mënyrë dhe më fuqishëm. Asgjë nuk do të zgjidhet më për tri, pesë ose shtatë ditë.

Kadyrov-i nuk po i rrah thundrat pa arsye. Ata i kanë aventurat e veta. Ai bëri emër për vete si i pamposhtëm – dhe nëse ai bie një herë, vetë njerëzit e tij do ta largojnë.

Tjetra, Siria. “Djem, mbahuni, gjithçka do të përfundojë në Ukrainë dhe pastaj, do t’i fortifikojmë pozicionet tona në Siri.” E tash, në çdo moment, kontingjenti ynë, i vendosur atje, mund të mbetet pa burime dhe pastaj, do të vijë nxehtësia absurde… Turqia do t’i mbyllë ngushticat, ndërsa dërgimi i furnizimeve në Siri përmes ajrit është njësoj si ta nxesh furrën me para të gatshme. Ju lutem, kini vëmendje – e tërë kjo është duke ndodhur njëkohësisht dhe ne madje nuk kemi as kohë që t’i hedhim të gjitha në një pirg për analizim.

foto5

Pozita jonë e tanishme është si Gjermania më 1943 dhe 1944 – por kjo është pozita jonë FILLESTARE në Ukrainë.

Nganjëherë, humbem në këtë mbingarkesë pune, nganjëherë më duket sikur kjo është vetëm ëndërr dhe se gjithçka është siç ka qenë më parë.

Sa u përket burgjeve – do të jetë më keq. Vidhat do të shtrëngohen deri në gjak. Gjithkund. Të jem i sinqertë, qartazi teknikisht, kjo është mënyra e vetme për ta mbajtur kontrollin e situatës. Ne tashmë jemi në gjendjen e mobilizimit të plotë. Por nuk mund të mbetemi në këtë gjendje për një kohë të gjatë, por oraret tona janë të panjohura dhe do të bëhet vetëm më keq. Qeverisja gjithmonë lëviz larg mobilizimit. Vetëm imagjinoni: mund të vraponi shpejt 100 metra – por provoni në maratonë.

Dhe kështu, me çështjen e Ukrainës vrapuam si të ishim në “sprint” prej 100 metrash, por doli se ishim regjistruar në një maratonë.

Dhe kjo është pasqyrë goxha e vogël e ngjarjeve të tanishme.

Për të ofruar më shumë cinizëm, nuk besoj se Putini do ta shtypë sustën e kuqe për ta shkatërruar tërë botën.

Së pari, nuk vendos vetëm një person dhe dikush tjetër do të refuzojë. Ka shumë njerëz aty dhe nuk ekziston vetëm një sustë “e kuqe”.

Së dyti, ekzistojnë dyshime të qarta nëse ajo, në të vërtetë, funksionon ashtu si duhet. Përvoja tregon se sa më transparente të jenë procedurat e kontrollit, aq më e lehtë është gjetja e problemeve. Dhe aty ku ka turbullirë sa i përket asaj se kush çfarë dhe si kontrollon, por gjithmonë ka raporte plot mburrje, aty gjithmonë ka probleme.

Sipas të dhënave të deklaruara, nuk jam i sigurt që sistemi i “sustës së kuqe” funksionon. Përveç kësaj, karburanti i plutoniumit duhet të ndërrohet çdo dhjetë vjet.

Së treti dhe kjo është gjëja më e neveritshme dhe më e trishtueshme: personalisht, nuk besoj në gatishmërinë e Putinit për ta sakrifikuar veten, kur nuk i lejon madje as ministrat dhe këshilltarët e tij më të ngushtë që të qëndrojnë afër tij. Është e parëndësishme nëse këtë e bën për shkak të frikës së tij nga Covid-i apo nga mundësia për t’u vrarë. Nëse frikësohesh, kur njerëzit e tu më të besueshëm janë afër teje, atëherë, si do të mund të zgjedhje që ta shkatërrosh veten dhe më të dashurit e tu?

Përktheu nga rusishtja në anglishte: Igor Sushko

Përktheu nga anglishtja: Nasuf Abdyli / Gazeta Nacionale

Lajme të ngjashme