E turpshme: Pergamena e Deklaratës së Pavarësisë dëmtohet rëndë nga pakujdesia institucionale
Trajtimi institucional i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës ka bërë që pergamena e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës të dëmtohet rëndë për shkak të pakujdesisë institucionale. Nacionale ka siguruar fotografitë që dëshmojnë dëmtimin dhe ka folur me Shyqri Nimanin që kishte punuar mbi të dhe me një eksperte të fushës.
Përpjeket e kosovarëve që shteti i tyre të jetë i pavarur dhe demokratik kishin filluar shumë shumë moti. Por, forma konkrete të organizimit, duke qenë të bashkuar dhe njëzëri, populli shfaqi që nga fundi i viteve të 80-a.
Greva e protesta të njëpasnjëshme zhvillonin qytetarët kundër poshtërimit që po ua bënte gjatë asaj kohe pushteti jugosllav në mënyrat më barbare. Megjithatë, asnjëra mënyrë nuk arriti që të ndalte zërat e fuqishëm të shqiptarëve të Kosovës.
Torturë, gjak, dhunime e vrasje, ishte elementet që identifikonin një vend të vogël të quajtur Kosovë, që lëngonte për pavarësi.
Sado që luftën nuk e kam përjetuar pasi kam qenë veç 9 muajshe (autorja e tekstit), sa herë që flitet rreth periudhës më të tmerrshme në Kosovë (luftës), më rikthehen në memorje të gjitha rrëfimet e njerëzve të cilët i kam intervistuar për momentet tragjike të kaluara dhe njerëzit e vrarë. Besa, këto intervista mund t’i konsideroj si më të vështirat. Sepse, gjithmonë ndihesha në siklet për t’i rihapur plagët e të intervistuarit/ës.
Momente nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës
Sidoqoftë, të gjithë këtë përshkrim deri në këtë pikë e bëra që të dalë tek një moment i shumëpritur i njerëzve të Kosovës, shpalljen e atij vendi të vogël si të pavarur.
Përgatitjet për këtë datë historike filluan, momenti i shumë pritur erdhi. Në ora 15:39 të datës 17 shkurt, viti 2008, në Kuvendin e Kosovës fjalët ‘magjike’ po i dilnin nga goja kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçit, i cili lexoi deklaratën e Pavarësisë së Kosovë.
‘’Shpallim Kosovën, shtet të pavarur dhe demokratik’’ kishte thënë kryeministri Thaçi, ku pas përfundimit të fjalisë, duartrokitjet nga deputetët nuk ndaleshin.
Krejt pas kësaj, mbi deklaratën e Pavarësisë, nënshkruan 109 deputetë. Por, çka po ndodh me këtë deklaratë është e dhimbshme.

Ku është sot deklarata e Pavarësisë së Kosovës?!
Mjerisht, por ama shumë mjerisht duhet thënë se dokumenti i cili identifikon ditën historike të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka filluar të dëmtohet. Kjo kuptohet nga fotot të cilat i ka siguruar gazeta Nacionale.

Krejt kjo sipas ekspertëve ka ndodhur nga neglizhenca e Kuvendit. Pasi që sot e asaj dite kur edhe u shpall pavarësia, duket se askush nuk është marrë me ruajtjen e deklaratës në një vend të veçantë, por vetëm e kanë vendosur diku nëpër zyrë. Ky dokument, që nga viti 2008 qëndron në Zyrë të kryetarit të Kuvendit, e në mur është vendosur në vitin 2018, për t’u ekspozuar në prag të përvjetorit të pavarësisë.

Nacionale i ka dërguar pyetje kuvendit të Kosovës, se pse është neglizhuar ruajtja e deklaratës që sa vite dhe kush ka vendosur që e njejtja të lihet në zyren e Kryetarit, por të njejtit nuk janë përgjigjur.
Çka thonë ekspertët?
Profesori Shyqri Nimani, i cili e punoi deklaratën e pavarësisë mbi pergamenë rreth 16 orë pa pushuar, është i shqetësuar se si nuk ka pasur kujdes institucionale që dokumenti të ruhet.
“Në deklaratë kam punuar me ngjyrë të zezë, që nënkupton se ajo është shumë e ndishme. Nëse dikush e prek me dorë ajo automatikisht dëmtohet dhe lëshon ngjyrë. Sepse prekja e letrës së pergamenës duhet të bëhet vetëm me dorëza pasi që gishtat kanë yndyrë”.
I pyetur nëse dikush nga Kuvendi e ka kontaktuar për ta pyetur se çfarë të bëhet që këto dëmtime të mos rriten, Nimani thotë kjo nuk ka ndodhur asnjëherë.
“Unë për punën të cilën e kam bërë, madje as nuk jam paguar, se lëre më të më telefonojë dikush për të më pyetur se çfarë duhet të bëhet. Unë jam punuesi i saj, andaj besoj se duhet të konsultohen me mua,” i tha Shyqri Nimani gazetës Nacionale.

Zyra e kryetarit të Kuvendit ku ruhet deklarata e pavarësisë ‘’ia zë frymën’’ kualitetit të saj
Nëse nuk merren masa të menjëhershme për ta larguar deklaratën nga zyra e kryetarit të Kuvendit, ekspertja e pergamenës, Bedrije Mekolli thotë se ajo do të pësojë dëmtimet edhe më të mëdha.
Sipas Mekollit krejt kjo ka ndodhur pasi që pergamena kërkon kushte specifike për ruajtje, e assesi nuk duhet të jetë e vendosur në një ambient ku temperaturat janë të ndryshueshme.
“Pergamena kërkon shumë kujdes dhe ka kushte specifike se si duhet të mbahet ashtu siç ishte. Ajo duhet të ketë temperature dhe lagështi të pandryshueshme, stabile. Që nënkupton të ruhet në të ftohtë, pa lagështi, në vend të errët” - thotë njohësja e pergamenës Mekolli.
E përkundër të gjitha këtyre që thonë ekspertët, ruajtja e këtij dokumenti të veçantë është bërë në mënyrën më joprofesionale të mundshme.
Kritikoi mënyrën se si është ruajtur deklarata, premtoi se do ta konservonte siç duhet, por kurrë s’e bëri, kryetarja e kuvendit të atëhershëm Vjosa Osmani
Kryetarja e kuvendit, Vjosa Osmani gjatë vitit 2020, kishte pasur vërejtje me mënyrën se si ishte ruajtur deklarata e pavarësisë. Ajo kishte thënë se do të fillonte menjëherë përgatitjet për një konservim adekuat, por të njejtën gjë nuk e kishte bërë kurrë as gjatë asaj kohe, madje as tash sa është president e vendit.
“Vërejtja ime e parë ka qenë që nuk është e konservuar si duhet, për shkak se besoj mund ta shihni edhe ju, disa nga shkronjat kanë filluar që të fshihen. Pra, do të kërkoj menjëherë që të fillojnë përgatitjet për një konservim si duhet, sepse është origjinali i vetëm që e kemi, i deklaratës së Pavarësisë dhe duhet të ruhet në mënyrë që t’i rezistojë edhe shekujve, jo vetëm viteve,” - kishte thënë Vjosa Osmani në një intervistë për Radio Evropa e lirë më 17 shkurt të vitit 2020.
Mbetet të shpresojmë që hapat adekuatë për konservimin e pergamenës të merren dhe që dëmtimi i Deklaratës të mos jetë ogur i keq edhe për Pavarësinë e Kosovës.