E sikletshme: Bajqinovci s’di të shprehet 15 sekonda, përdor një aplikacion për të lexuar
Dje, Mefail Bajqinovci, deputet i VV-së, aspak befasisht u lajmërua nga liqeni i Ujmanit, një hapësirë tashmë e shfrytëzuar politikisht nga zyrtarët e VV-së dhe të Qeverisë Kurti.
Bajqinovci e publikoi një video nga Ujmani, përmes sëcilës tentoi të ironizonte me një deklaratë të Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së, i cili theksoi se e kishte ndjekur nga Kosova Milan Radoiçiqin, i kërkuar ndërkombëtarisht nga Kosova për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
Në videon e tij, Bajqinovci i tha dy fjali (natyrisht, varet ku i vendosni shenjat e pikësimit). Nëse dëshirojmë t’i kuantifikojmë këto dy fjali në sekonda, Bajqinovci në videon e gjatë 23 sekonda, foli vetëm 15 sekonda.
“Te ish-villa e Radoiçiqit, pasi Ramushi e përzuri atë nga Kosova dhe objektit ia dha Policisë së Kosovës dhe vuri ligj dhe rend në veriun e Kosovës. Mos të harrojmë edhe tabelat, pagesat dhe gjithçka tjetër” – tha Bajqinovci.
Megjithatë, një gjë interesante, pak edhe e sikletshme, ra në sy. Bajqinvoci e përdori një program për të lexuar dy fjalitë e cituara më lartë.
Në qoshen e videos shihet se videoja është bërë me aplikacionin “Telepromter.com”, që është një aplikacion për të lexuar tekstin ose skriptin e parashkruar.
“Aplikacioni miqësor për përdoruesit i Teleprompterit tregon skriptin tuaj ndërsa regjistroni, kështu që nuk duhet të bëni kurrë një xhirim të dytë” – shkruhet në uebfaqen zyrtare të këtij aplikacioni, të cilin e përdori Bajqinovci.
Bajqinovci përdori aplikacionin për të lexuar një tekst me dy fjali dhe me një kohëzgjatje prej 15-sekondësh. Nuk dihet nëse Bajqinovci e regjistroi këtë video disa herë apo ia arriti ta realizonte që në përpjekjen e parë, pikërisht ashtu siç premton edhe vetë ky aplikacion.