Ekonomistët kritik me Qeverinë Kurti për ndarjen e 100 eurove - NACIONALE

Ekonomistët kritik me Qeverinë Kurti për ndarjen e 100 eurove

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës, Qeveria e Kosovës ka prezantuar disa masa të reja që për qëllim kanë mbështetjen financiare për qytetarët, të cilët po përballen me inflacion të theksuar të çmimeve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë prezantimit, theksoi se janë ndarë 100 milion euro nga buxheti, të cilat do të shkojnë tek qytetarët si ndihmë në këtë fazë të krizës ekonomike.

Nga kjo pako, i pari i ekzekutivit tha se 800 mijë qytetarë do të përfitojnë nga 100 euro.

Njohësit e politikave ekonomike nuk janë të të njëjtit mendim rreth efekteve të kësaj mase të prezantuar sot nga kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ekonomisti Mustafë Kadriaj, thotë se në parim shtesa në llogari të qytetarëve është e mirëseardhur.

Megjithatë, sipas tij do të duhej të ekzistonte një nivelim në bazë të të ardhurave mujore të përfituesve.

“Kemi edhe pagë me 130 euro apo 170 euro e që dallimi është jashtëzakonisht i madh për faktin që këtyre iu shtohet vetëm 100 euro dhe nuk është që bëjnë zgjidhje, ndërsa ata e kanë një pagë jashtëzakonisht të lartë e që ndoshta nuk kanë nevoj për një pagesë 100 euro një i punësuar që e merr një pagë 3000 euro apo 5000 ose të ngjashme, dhe krejt kjo është e pakuptimtë”, thotë Kadriaj për Nacionale.

Madje Kadriaj e quan mashtrim të momentit këtë nismë të Qeverisë duke theksuar se një gjë e tillë nuk është politikë e dobishme për periudha afatgjata.

Kjo nuk është së paku pako tre muajshe, por vetëm një muaj. Kjo qeveri po shihet që nuk ka interesim në pako ekonomike për ta ringjallur dhe këndellur ekonominë dhe kjo është një lloj mashtrimi i masës dhe pak a shumë është duke luajtur me ndjenjat e kategorisë sociale siç janë pensionistët dhe studentët të cilët nuk kanë të hyra dhe munden me qenë të manipuluar nga ana thjesht populiste e qeverisë, por kjo nuk i bën mirë s qeverisë as ekonomisë së vendit sepse nuk ka nevojë qytetari dhe ekonomia e Kosovës për kësi lloj lojëra”, mendon Kadriaj.

Ndërkaq, për ekonomistin Lulzim Beqiri për 80 mijë studentë dhe për sektorit publik e privat ndihma prej 100 eurove është e rëndësishme.

Vendimi i sotëm i qeverisë së vendit për mbështetje të qytetarëve të vendit vije si rezultat i krizave të njëpasnjëshme që nga fillimi i pandemisë e deri të kriza e inflacionit. Kategoritë përfituese janë tejet të rëndësishme, siç janë: mbështetja me nga 100 euro për herë të parë rreth 80 mijë studentë të Republikës, pastaj pensionistet e deri te punëtoret e sektorit privat, gjithashtu edhe sektori publik ka me u mbështet me shumën prej 100 euro”, mendon Beqiri.

Por, Beqiri është në të njëjtën linjë me Kadriajn kur thotë se ka qenë dashur të ketë kufizime në mbështetje.

Ta zëmë kategoria e punëtorëve që marrin page mbi 600 mos të përfshihen në pako sepse ata konsideroi se kanë të ardhura të mjaftueshme jetese në Kosovë, prandaj nuk është e drejt një deputet ose një drejtor që ka pagën mbi 1000 euro të mbështetet njëjtë me një punëtor krahu që paga e tije nuk kalon më shumë se 300€”, thotë ekonomisti Beqiri.

Beqiri thotë se Qeveria Kurti duhet të krijojë politika afatgjate të cilat gjenerojnë vende të punës për përmirësimin e situatës aktuale në tregun kosovar.

Ndërkaq më i prerë duket ekonomisti Lekë Musa, i cili e quan masë e Qeverisë Kurti si shpërndarje të njëtrajtshme dhe të palogjikshme.

Është në rregull të ketë ndihmë financiare për grupet e prekura, mirëpo pse dikush për shembull që i merr 2000 ose 3000 euro ne sektorin privat duhet me i marr si një penzionist ato pare, është e pakuptimtë. Do të ishte më mirë nëse në emër të ndihmës sociale të ndihmoheshin kë grupe të rrezikuara sociale për disa muaj, në vend se të ketë ndihmë të tillë në formë të një trajtshme. Në anën tjetër me qëllim që të ketë një rikthim të ekonomisë duhet te stimulohet prodhimi, iniciativa dhe eksporti”, mendon Leka.

Me ndihmat e Kurtit nuk pajtohet as opozita

Në lidhje me ndarjen e këtyre mjeteve nga qeveria nuk u pajtua kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku.

Përmes një statusi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se Kurti përfundimisht e ka dëshmuar se nuk ka ndonjë ide e as njohuri për zhvillim. Tutje, i pari i LDK-së tha se me 100 euro “nuk blihet as shtrenjtimi i rrymës as vizat e punës për 120 mijë qytetarë”.

Të zëshëm kanë qenë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët kanë thënë se duhet të ndihmohen të gjithë qytetarët pa përjashtim e jo vetëm ata të punësuarit.

Kujtojmë që në kohën sa kryeministër ishte Avdullah Hoti, AAK si partnere e koalicionit në atë kohe propozonte që të dizajnohet një pako ekonomike ku të gjithë qytetarët mund të përfitonin nga 100 euro.

Lajme të ngjashme