E mistershme: Zhduket postimi i Policisë ku kërkonte Akil Gjakovën - NACIONALE

E mistershme: Zhduket postimi i Policisë ku kërkonte Akil Gjakovën

1 javë më parë

nga NACIONALE

Policia e Kosovës duket se ka fshirë postimin nga rrjeti social Facebook, ku e shpallë xhudistin Akil Gjakova në kërkim, i publikuar tri ditë më parë.

Gjakova dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij, dhe pas kësaj Policia e Kosovës kishte publikuar fotografinë e tij së bashku me të dhënat duke kërkuar ndihmë në kapjen e tij.

Gazeta Nacionale ka drejtuar pyetje tek Policia e Kosovës për të kuptuar arsyen pse është fshirë nga Facebook-u postimi që Gjakova është në kërkim, mirëpo të njëjtit deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.

Nacionale ka parë se në faqen e policisë, ndodhen ende thirrjet për personat e tjerë që kanë qenë në kërkim.

Pasi që Policia e kishte shpallur në kërkim Gjakovën, i njëjti ishte vetdorëzuar.

Lajmi që xhudisti ishte dorëzuar në polici e kishte bërë të ditur për media avokati i tij, Asdren Mekaj.

Akili është dorëzuar tek policia kufitare, në kufi me Shqipërinë në 22:05, i ka prezantuar të gjitha dokumentet se ka qenë jashtë shtetit për ta trajtuar një lëndim trupor.” – kishte thënë Mekaj.

Gjakova ishte dërguar në mbajtje për 48 orë, ku Prokuroria Themelore e Pejës kishte kërkuar nga Gjykata për masën e paraburgimin prej 30 ditëve, nëndyshimin për dhunë në familje.

Është mbajtur seanca dëgjimore dhe prokurori i shtetit ka kërkuar të caktohet masën e paraburgimit, ndërkaq deri tani jemi duke pritur se çfarë vendimi do të marr gjyqtari i procedurës paraprake.” - ka thënë Shkodran Nikqi, zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.

Në kërkesën e Prokurorisë thuhej se Gjakova kishte ushtruar dhunë psikike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes, përfshirë ushtrim të dhunës fizike, e mesazhe denigruese.

Duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme te te pandehurit, faktin se i pandehuri që nga viti 2023 është duke e keqtrajtuar psiqikisht të demtuarën, gjatë vitit 2023 i pandehuri një herë ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj të njejtës, ku e dëmtuara për dhunën fizike të ushtruar nga i pandehuri ka deponuar disa fotografi, në të cilat vërehen lëndimet të shumta trupore që ia ka shkaktuar i njëjti, për të cilat e dëmtuara nuk ka marrë tretman mjekësor fare, poashtu duke parë disa mesazhe me fjale te ulëta degraduese për viktimën, te dërguara nga i pandehuri, dhe dhunën e vazhdueshme psikike ndaj saj, ku e dëmtuara nga data 13.04.2024 së bashku me djalin e tyre 3 vjeçar, është detyruar të qëndroj në strehimore, pasi qe i pandehuri ia ka mbyllur derën e shtëpisë.”

I njëjti i ka shkruar sms se giësendet e sai do t’ia dërgoi tek familja e saj, vijmë në përfundim se, po të giindet i pandehuri në liri mund t’i përsërisë veprat e njëjta penale apo mund të kryej vepër të re penale, e që të mos vijë deri te ndonjë vepër tjetër edhe më e rëndë, konsiderojmë që është plotësuar edhe ky kusht.” – thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Seanca për paraburgim ndaj Gjakovës është mbajtur të enjten, dhe i njëjti pas përfundimit në mënyrë spektakulare iu ka ikur mediave.

Kërkesën e Prokurorisë e ka hedhur poshtë sot Gjykata Themelore e Pejës.

Në njoftimin e gjykatës është bërë e ditur se të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar bashkëshortes në distancë prej pesëdhjetë.

Në njoftimin jepen edhe detaje tjera, të cilave duhet tët iu përmbahet i pandehuri.

Të pandehurit i është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaj, ashtu që të njëjtit i është ndaluar për t’iu afruar vendit ku e dëmtuara banon si dhe vetë të dëmtuarës, në distancë prej pesëdhjetë (50) metra, e në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata ndaj të njëjtit do të caktojë masën e paraburgimit” është thënë në njoftimin e gjykatës.

Gjykata ka vlerësuar se edhe pala e dëmtuar duhet ta respektojë vendimin e gjykatës.

“Pasi pala e dëmtuar të njoftohet me aktvendim edhe ajo duhet të respektoj vendimin e gjykatës dhe nëse qëllimisht cenon kufizimet që i ka i pandehuri, gjykata mund ta dënojë personin e mbrojtur me gjobë. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, ka bërë me dije gjykata.

Lajme të ngjashme