E konfirmon Prokuroria Speciale: Arrestohen Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të MINT-it
Prokuroria Speciale e Kosovës e ka konfirmuar lajmin se është arrestuar Ridvan Muharremi, pronar i furrës së shndërruar në restorant “Bukë e Zemër” dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.
Ata dyshohen për dy vepra.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës – Njësia e Veçantë e Hetimeve, ka realizuar sot bastisje në lokacione të ndryshme në Prishtinë, ku kanë arrestuar tre (3) persona me inicialet R.M. H.G dhe I.L.
Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se tre personat e arrestuar, R.M. H.G dhe I.L. dyshohen për veprat ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.” – thuhet ndër të tjera në njoftim.
Tutje, Prokuroria Speciale ka njoftuar se ata janë ndaluar për 48 orë.
"Ndërkaq, gjatë bastisjes janë siguruar dhe sekuestruar prova materiale të cilat do të përdoren për procedurë të mëtutjeshme hetimore.
Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit, do të dërgohen në mbajtje për 48 orë, si dhe brenda afateve ligjore kohore do të bëhet kërkesë për caktimin e paraburgimit." - përfundon komunikata.
Ndërsa dy zyrtarët e MINT që u arrestuan sot dhe u ndaluan për 48 orë janë Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Aksioni i policisë
Në ora 6 të mëngjesit, pak pas lindjes së diellit, disa zyrtarë të Policisë së Kosovës u shfaqën te banesa në pronësi të Ridvan Muharremit, pronarit të furrës të shndërruar në restorant, “Bukë e Zemër”, i cili frekunetohet shumë nga kryeministri Albin Kurti. Policët shkuan për të bastisur banesën dhe pak më vonë edhe lokalin e Muharremit, i cili dyshohet në lidhje me aferën e vajit dhe grurit.
Aryseja tashm është lehtë e rrokshme. E gjithë bastisja nisi në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.
Në banesën që gjendet në afërsi të shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë, policia qëndroi 2 orë e 20 minuta, duke hyrë e dalë nga banesa disa herë. Pak më vonë, në banesë u shfaq edhe avokat i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, i cili deklaroi se nuk ka ende fletarrest për klientin e tij.
Policia shkoi edhe në MINT, që udhëhiqet nga ministrja Hajdari, ku mbetën të arrestuar dy zyrtarë dhe u konfiskuan disa prova.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se për bastisjet në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë do të flasë gjatë ditës.
“Për çështje tjera, jashtë efiçiencës që nuk po ju intereson, deklarohemi gjatë ditës sot”, ka thënë Kurti, pas ceremonisë së lansimit të “Thirrjes publike për mbështetjen e konsumatorëve familjarë në investimin në pajisje shtëpiake efiçiente dhe sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar”.