“E ka të ndaluar”, pyetja e Krasniqit: Pse s’ka shku Kurti në ShBA?
Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, mbrëmë dha një intervistë të gjatë në emisionin “Politiko” të Kanal 10, ku foli për shumë tema, përfshirë dialogun, masat ndëshkuese të BE-së, Asociacionin. Madje, Krasniqi tha se do të ishte i befasuar nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e pranon draft-statutin e Asociacionit.
Megjithatë, Krasniqi ishte i sigurt se Kurti po formon super Zajednicë.
“Ky draft i Asociacionit është pa njohje, kjo është super Zajednicë. Ky tekst nuk jam i sigurtë që e kalon testin e kushtetutshmërisë.” – deklaroi Krasniqi.
Sipas Krasniqit, drafti final i Asociacionit mund të jetë edhe më i keq.
“Tash një vit kemi folur për draftin e parë të planit franko-gjerman, tash e kemi draftin e parë të Asociacionit. Drafti final i planit franko-gjerman ka qenë më i keq se drafti i parë i planit franko-gjerman, edhe drafti final i Asociacionit mund të jetë më i keq se drafti i parë.” - shtoi Krasniqi në Politiko.
Gjatë intervistës, Krasniqi e bëri edhe një deklaratë të fortë. Sipas tij, Kurti e ka të ndaluar të shkojë në ShBA. E pas ndërhyrjeve të moderatorit, Krasniqi e shtroi një pyetje, duke pyetur se “pse Kurti nuk ka shkuar në ShBA?”
“Qysh mundet me kanë me dinjitet shteti i cili ka masa ndëshkuese prej BE-së? Përveç Kosovës, shtete në territorin e Kosovës që kanë masa ndëshkuese është Bjellorusia. Pse duhet me kanë Kosova me Bjellorusinë me një fjali te masat ndëshkuese? Unë veç po tregoj që masa ndëshkuese të BE-së, të shteteve të Evropës, ka Kosova dhe Bjellorusia. Këto janë fakte, nuk po i them unë. Qysh mundet me kanë shtet i respektuar me dinjitetin që ti po thu që militantët e VV-së thonë që e kanë kthy dinjitetin, kur neve na kanë fut në masa ndëshkuese. Çfarë dinjiteti ka kur ti sot e ke të ndaluar kryeministrin të shkojë në ShBA. Janë anulu vizita në të dy anët” – theksoi Krasniqi, ndërsa në këtë pjesë ndërhyri moderatori i Politikos, Kushtrim Sadiku, i cili e shtroi një pyetje.
“Kush thotë që e ka të ndaluar të shkojë në ShBA?” – ishte pyetja e moderatorit Sadiku.
“Unë po them. Pse s’ka shku në ShBA z. Kurti?” – ishte përgjigja e rrufeshme e Krasniqit.
“A jeni i sigurt që e ka të ndaluar të shkojë në ShBA, sepse është goxha e rëndë, goxha e madhe kjo z. Krasniqi?” – ishte pyetja e sërishme e Sadikut.
Pjesën vazhduese të përgjigjes së Krasniqit në këtë intervistë mund ta dëgjoni në videon e mëposhtme:
